Humb jetën nga Covid në spitalin Covid 3, pak pas mesnate, një nga neuropsikiatrët më të njohur shqiptar, prof dr Hiqmet Shqerra në moshën 82 vjecare.

Doktor Shqerra lindi në Elbasan në një familje autoktone dhe me tradita. Ai studioi në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në Degën e Psikiatrisë me rezultate të larta  dhe më pas mori titujt akademikë. Gjatë eksperiencës së tij 56 vjeçare si mjek neuropsikiatër , doktor Shqerra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në trajtimin dhe kurimin e qindra pacientëve shqiptarë me probleme të shëndetit mendor të moshave të ndryshme, brenda dhe jashtë kufirit.

Për 20 vite drejtoi Spitalin psikiatrik të Elbasanit ku u shqua për aftësitë e veçanta profesionale dhe komunikimin e jashtëzakonshëm human me pacientët, familjarët dhe të gjithë komunitetin. Doktor Hyqmet Shqerra ka punuar vite të tëra dhe ne terrene të vështira të fshatrave të Elbasanit ku i është gjendur pranë familjeve në problemet e tyre shëndetësore.

Gjatë viteve të pluralizmit, doktor Shqerra lektroi në dhjetëra konferenca  shkencore, auditore universitare dhe kongrese në Austri, Itali, Francë dhe vende të tjera të rajonit dhe Evropë me tematikë nga fusha e neurologjisë dhe psikiatrisë. Ai aderonte në shoqata të ndryshme mjekësore evropiane të neuropsikiatrisë,  si dhe ishte autor i disa studimeve në këto disiplina. Për vite me radhë doktor Shqerra ka kontribuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare përmes intervistave të shumta ne studio televizive ( veçanërisht në emisionin “Trupi dhe Shëndeti” të doktorit Flamur Topi ) dhe më pas në diskutimet në rrjetet sociale, për rëndësinë thelbësore te shëndetit mendor, pasojat dhe mënyrat e trajtimit të tij.

Ai la pas bashkëshorten, inxhinieren Fatmira dhe djalin farmacist Fatjon Shqerra.

Hyqmet Shqerra

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re