Skip to content

Arrestimi i gjyqtares së Krujës/ KLGJ: Kemi marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës

Pas arrestimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, ka reaguar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). KLGJ-ja garanton opinionin publik se, ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë normale të gjykatës.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi sot arrestimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, avokatit Aldo Tabaku dhe sekretares së gjykatës, Manuela Mallakuçi.

Ata akuzohen për lirimin e disa personazheve të njohur të botës së krimit në vend, mes të cilëve dhe Endrit Doklen.

Deklarata e plotë

Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë lidhur me arrestimet e kryera nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë, procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloji.

Si organ i qeverisjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton pavarësinë e institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt ligjor. Këshilli do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.