Skip to content

U akuzua nga Nano si grykës, i lig e i pabesë, Meta: Flet ky që një herë kollitej “doktori”, ikte në Maqedoni. Ishte e mbetet një karakter ordiner!

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur ashpër akuzave t ëish-kryeministrit Fatos Nano, i cili tha disa ditë më parë se te Meta shikonte të shtatë mëkatet e Biblës.

Mbrëmjen e sotme Meta u shpreh në “Zeni.tv” se Nano ka qenë dhe mbetet një karakter ordiner, ndërsa shton se ish-kryeministri largohej 1 javë nga Tirana sa herë që “kollitej” Sali Berisha.

“T’i referohesh Biblës do të thotë që shkëlqen në të gjitha aspektet e tjera. Nuk dua të kem asnjë gjykim, ata që porositën intervistën duan që të harxhojmë kohë të kotë.

Ai dha shembullin më të keq sesi drejtohet shtetit. Raportet e mia me të kanë qenë të qarta, ballore dhe parimore. Kam patur gjithmonë të drejtë. Koha e ka treguar.

Kur ishte në krye të funksioneve dha shembullin më të keq se si kryhen këto funksione para socialistëve dhe popullit shqiptar. Koha ka treguar që unë kam patur gjithmonë të drejtë.

Flet ky që njëherë kollitej doktori dhe ikte një javë nga Tirana duke gjetur pretekste të ndryshme. Ishte në Maqedoni në preteksin e vizitave mjekësore.

Unë jam përpjekur që ta shndërroja nga një të burgosur ordiner në një të burgosur politik. Ai ishte dhe mbetet një karakter ordiner”, tha Meta.