Si pasojë e motit me reshje bore pothuajse në të gjithë vendin, mbrëmjen e djeshme janë paraqitur vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin Lezhë Shkodër, ku mes personave të bllokuar ishte dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.
Basha tregoi se makina e tij kishte ngecur në zonën mes Tales dhe Shënkollit, ndërkohë që shprehej se nuk kishte parë asnjë borëpastruese që të punonte për lirimin e rrugës.
Kreu i PD-së tregoi se edhe një autoambulancë ka mbetur në rrugë, ndërkohë që nuk dihet nëse brenda saj kishte apo jo persona të sëmurë. Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme, shoqëruesit e Bashës kanë dalë për të shtyrë ambulancën, e cila duket se nuk ka qenë e pajisur me zinxhir, ose trashësia e borës ka qenë mjaft e madhe.

