Skip to content

Video/ “Akset kombëtare janë të kalueshme”, flasin për Fax News prefektët e Korçës dhe Shkodrës: Situata ka qenë e jashtëzakonshme

Në një kohë kur i gjithë vendi është nën pushtetin e reshjeve të borës, Prefekt i qarkut Korçës Dhori Spirollari ka thënë për Fax News se situata për momentin është nën kontroll.

Spirollari tha se në të gjitha akset në qytetin e Korçës kalohet me zinxhirë, ndërkohë që në zonat rurale disa fshatra të Mokrës, në Gorë dhe në Leskovikë janë të bllokuara nga bora.

“Jemi përballur me një sitatë të jashtë- zakonshme, kemi menaxhuar që të gjitha akset të jenë të kalueshme. Punonjësit janë duke sakrifikuar në temperatura të ulëta. Rekomandohet lëvizja me zinxhirë, ndërkohë që nuk kemi pasur bllokim të akseve kombëtare.

Punonjësit socialë po i japin ndihmë të vetmuarve. Po punojmë që askush të mos mbetet pa ndihmë. Situata vijon të jetë e vështirë, shkak temperaturat shumë të ulëta. Disa fshatra kanë pasur probleme me energjinë, po punohet për furnizimin me energji në gjithë zonën”, u shpreh prefekti.

Ndërkohë që për Fax News ka folur dhe prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni, e cila tha se vështirësia më e madhe paraqitet në zonat e përmbytura, ku familjet kanë pasur nevojë për ndihmë.

“Akset rrugore janë të kalueshme me zinxhirë, me përjashtim të disa zonave rurale. Temperaturat e ulëta vështirësojnë situatën, ndërkohë që më problematike mbetet situata në zonat që kanë qenë të përmbytura”, tha Angoni.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb