Skip to content

Mbi 15 gra shtatzëna dhe një foshnje pozitive, mjeku Brahimaj bën apel për hapjen e një reparti Covid në Fier: 4 spitalet janë të tejmbushur, ne e kemi gati stafin

Me shtimin e rasteve me Covid-19 në qytetin e Fierit nuk kanë munguar dhe rastet e grave shtatzënë dhe foshnjave të porsalindura.

Mjeku obsteter dhe president i urdhërit të mjekut në qarkun e Fierit, Besnik Brahimaj është shprehur për Faxnews se prej 15 Janarit deri më tani janë konstatuar 14 gra shtatzëna pozitive me SARS-Covid-2.

Rastet në fjalë janë trajtuar sipas protokolleve dhe janë dërguar në Tiranë. Pozitiv me Covid-19 ka rezultuar edhe një foshnjë e porsalindur.

Nisur nga shtimi i rasteve me Covid në Fier që në total shkojnë në 2991 pacientë, mjeku ka kërkuar që të hapet edhe në Fier spitali Covid.

Spitali Fierit i ka të gjitha kushtet dhe personelin mjekësor për të përballuar pritjen dhe trajtimin e të prekurve me Covid. Kjo do të sillte dhe rënien e fluksit edhe në 4 spitalet në Tiranë ku nuk kanë munguar rastet kur pacientët trajtohen nëpër ambulanca.

“Deri para një muaji ne nuk kemi patur asnjë rast në maternitetin e Fierit, por nga 15 Janari e deri më tani janë shfaqur rastet pozitive te gratë shtatzëna duke qenë se është shtuar dhe numri i testeve të shpejta. Cdo gruaje që hynë në maternitet i bëjmë testin e shpejtë dhe janë mbi 10-15 raste të konfirmuara në Maternitetin e Fierit që kanë ardhur me Covid. Grave të cilat kanë rezultuar pozitive u janë dhënë udhëzimet përkatëse për tu trajtuar. Kur kemi hasur raste pozitive me Covid-19 të cilat kanë pasur probleme apo kanë qenë për të lindur i kemi cuar në Tiranë. Gjithashtu këtë muaj kemi pasur dhe një foshnje pozitive me Covid-19. Gratë shtatzëne janë trajtuar në bazë të protokollit pasi është bërë konsulta me mjekun profesionist dhe pneumologun, ndërsa në momentet e lindjes, 2-3 raste i kemi nisur në Tiranë.

Një nga problemet kryesore për të ulur numrin e të infektuarve me Covid është vetëizolimi. Të gjithë  ata njerëz që kanë rezultuar pozitivë apo kanë shenja klinike duhet menjëherë të vetëizolohen me qëllim që të ulet numri i rasteve.

Për mua patjetër duhet të ishte hapur një spital Covid në Fier duke qenë se ka regjistruar numër të lartë të rasteve. Burimet njerëzore ekzistojnë, kshu që patjetër duhet të ishte hapur duke qenë se 4 spitalet janë të tejmbushur. Spitali i Fierit e ka stafin e përgatitur dhe të mjaftueshëm për të përballuar rastet me Covid, ndaj duhej të ishte hapur një repart në Fier.”, përfundoi mjeku Besnik Brahimaj.

(R.G/Faxweb.al)

/faxweb