Kryetari në detyrë i PSD-së, Ëngjell Bejtja i ka kthyer përgjigjë mbrëmjen e sotme ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim, për sa i përket deklaratës së saj që Tom Doshi nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje.
Bejtja deklaroi për ABC se e respektojnë mendimin e ambasadores Kim. Ai shtoi se shoqeria nuk ndërtohet mbi bazë të opinioneve, por mbi bazë të institucioneve, duke lënë të nënkuptohet që Tom Doshi do marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ne respektojmë opinionet, edhe të ambasadores së SHBA, që është përfaqësuese e shtetit më të madh dhe mikut më të madh të Shqipërisë, por një shoqëri ndërtohet, bazohet në institucione, asnjëherë në opinione, asnjëherë në emocione, bazohet në institucione. Ne respektojmë edhe legjislacionin bazë, ku bazohet funksionimi i një partie politike, nuk i japim të drejtë vetes të ngremë struktura hetimore, nuk na e jep ligji këtë. Ne do të respektojmë cdo akt ligjor. Ka një praktikë, disa kushte që përcakton Kodi Zgjedhor, ne do të jemi shumë skrupuloz në vlerësimin e atyre kushteve dhe padyshim besoj në vlerësimin e institucioneve në Shqipëri. Ne me këtë nuk duam të themi se injorojmë opinionet, por gjithsesi jemi të prirur drejt qëndrimeve bazuar në ligj,” tha Bejtja.
Kreu i PSD-së foli gjithashtu për një koalicion të mundshëm me opozitën, duke lënë gjithcka të hapur.
“Asnjëherë nuk duhet thënë, jo vetëm për faktin që kurrë nuk duhet thënë kurrë, por nuk do të ishte edhe politikisht në rregull që të bënim përjashtime në këtë moment,” deklaroi ai.
Për sa i përket situatës pandemike, Bejtja u shpreh se vendi duhet të mbyllet përsëri nëse kjo ndihmon në qetësimin e situatës në spitale.
“Nuk jam i surprizuar nga situata aktuale. Cdo mbyllje që do të sillte një frymëmarrje më të plotë të spitaleve do i shërbente zgjidhjes së problemit.” perfundoi kreu i PSD-se.
Kujtojmë që ambasadorja Kim deklaroi pak kohë më parë se Tom Doshi nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Më vonë ajo foli sërisht në lidhje me këtë deklaratë, duke thënë se ka marrë garancinë nga kryeministri Rama që Doshi nuk do jetë pjesë e ekipit të tij qeverisës.
(E.H/Faxweb.al)
/faxweb
