Mjeku i QSUT, Edvin Prifti, i arrestuar pak ditë më parë në sallën e gjyqit, për shumën e parave që iu gjet në banesë, ka apeluar vendimin.
Në apelim thuhet se pasuria e mjekut Edvin Prifti është e ligjshme, se paratë e gjetura në banesë janë të bashkëshortes së tij, dhe se ai nuk ka bërë përpjekje për ta fshehur. Kujtojmë se SPAK i gjeti mjekut Edvin Prifti në banesë dhe në zyrë 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë.
Në vendimin që ka zbardhur gazetarja Klodiana Lala për “News 24” thuhet se “Prifti kërkon shfuqizimin e vendimit për shkak të paligjshmërisë së procedurës dhe për mungesë të provave që e bëjnë të arsyeshëm dyshimin se zoti Edvin Prifti ka kryer veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Më tej, në apelim thuhet se “Ritheksojmë se një pjesë e të hollave (56.850 USD dhe 3.395.000 lekë) nuk u gjetën në zyrën e tij, por pas kontrollit vetjak, në çantën e tij të lap-topit, i cili në thelb është një akt i paligjshëm, sepse gjykata nuk kishte disponuar me vendim për kontrollin e tij personal”.
