Komisioneri Evropian për Shëndetësinë Stella Kiriakides konfirmoi të enjten se Hungaria ka të drejtë të “miratojë përdorimin e përkohshëm të një vaksine të paautorizuar në territorin e saj në raste urgjente”, d.m.th të aprovojë kryerjen e një prove klinike me vaksinën ruse.

“Kjo është një çështje e autoriteteve kombëtare dhe përgjegjësia për një përdorim të tillë bie mbi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian,” tha ajo.

Kiriakides shton se prodhimi përfundimtar i vaksinës ruse në territorin e Hungarisë “është gjithashtu përgjegjësi e Hungarisë”.

Ende nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare mbi përdorimin dhe prodhimin e mundshëm të vaksinës ruse Sputnik V, e cila nuk është aprovuar për përdorim në BE, Kiriakides thekson se në BE vlerësimi i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) është ende mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë dhe efikasitetin e një vaksine ose ndonjë ilaç tjetër.

Më herët, Komisioni Evropian tha se vaksina ruse nuk do të ishte pjesë e strategjisë së vaksinimit të BE.

EMA shton se prodhuesit rusë të vaksinës Sputnik V i kanë kontaktuar ata dhe kanë shprehur interes për të marrë një leje për përdorimin e saj në BE, por që ende nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re