Skip to content

Barcelona e pamposhtur në La Liga edhe pas klasikes ndaj Realit

Klasikja e futbollit spanjoll ka përfunduar me një barazim 2-2 në “Camp Nou”, çka do të thotë se Barcelona mbetet ende një ekip pa humbje ndërsa kampionatit po i vjen fundi.

Askush në stadiumin e tejmbushur të katalanasve nuk e ka pritur këtë barazim me mërziti. Përkundrazi, ky barazim ka qenë si një fitore, ngaqë e ka lënë të paprekur shifrën e humbjeve për vendasit në 35 ndeshje: 0!

Ka qenë një klasike me katër gola, me një karton të kuq për Barcelonën në fundin e pjesës së parë, kur Sergi Roberto u nxor nga loja, dhe me një sërë kartonash të verdhë. Ronaldo luajti vetëm një pjesë loje, ashtu si Iniesta qe në fushë për 58 minuta në El Clasico-n e tij të fundit.

Dy gola pati pjesa e parë, e po kaq e dyta. Suarez shënoi në minutën e 10-të; në të 14-n barazoi Ronaldo. Messi bëri detyrën në të 52-tën minutë, Bale i barazoi sërish shifrat me një gol mjaft të bukur në minutën e 72-të.

Kryesimi i Barcelonës mbetet po ai, siç mbetet Reali në vend të tretë. Barcelona luan me Vilarealin të mërkurën, Reali i Madridit zbret në të njëjtën mbrëmje në fushën e Seviljes; bëhet fjalë për dy ndeshje të prapambetura.