Një sasi e madhe mishi në portin e Durrësit rrezikon të dëmtohet, pasi kontrollet doganore po kryhen në kushte të papërshtatshme.
Bëhet fjalë për një sasi prej 27 ton mish pule, i cili ka ardhur nga Argjentina për llogari të subjektit Zico në Tiranë.
Sipas përfaqësuesit të firmës në fjalë, dogana së bashku me policinë, nuk e pranuan kërkesën e saj që kontrolli të kryhej në mjediset e kompanisë në Vaqarr.
Agjenti doganor Julian Merhori shprehet se do të kontrollohet i gjithë kontejneri me 2600 pako me mish pule, por ky proces mund të zgjasë afro 4 orë dhe sot temperaturat janë të larta, ndërsa në terminalin e kontenerëve nuk ka kushte për kontrolle të tilla.
Në raste të tjera, dogana së bashku me policinë, kontrollet i kanë kryer në mjediset e firmës, duke qenë se në terminalin e kontejnerëve nuk ka kushte frigoriferike për ruajtjen e produkteve të tilla.
Veprimi i sotëm mund të cënojë seriozisht sigurinë ushqimore të kësaj sasie mishi, e cila si rregull deri në magazinim duhet të qëndrojë në temperatura minus 20 gradë.
/faxweb