Skip to content

Nga te ai që shpresonte, te talentet më të mëdha të secilit/ Çfarë thotë Dash Shehi për Berishën, Nanon, Ramën, Metën dhe Bashën

Dashamir Shehi mbetet një nga politikanët më karizmatikë në vendin tonë, që në jo pak raste shprehet hapur për mendimet që ka rreth asaj që ndodh në vend, duke përfshirë edhe komentet për bashkëpunëtorët e tij apo kundërshtarët.

Teksa ka qenë i ftuar në emisionin Opinion, Shehi ka dhënë komentet e tij për Fatos Nanon, Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën, ndërsa këtë të fundit e quajti një nga politikanët më normalë. Për Shehin, talenti më i madh i Berishës ishte fakti që menaxhonte njerëzit shumë mirë.

“Mënyra për të menaxhuar njerëzit. Talenti më i madh ishte për të menaxhuar njerëzit. Për të pritur ty në mëngjes, mua në drekë dhe tjetrin në darkë, e cila është në fakt linja normale e marrëdhënies shqiptare. Marrëdhënia shqiptare nuk është institucionale. Është private, është personal. Shqiptari këtë beson, më thirri presidenti. Berisha është njeri shumë i zgjuar, ka vullnet. Berisha ka defektet e veta dhe i ka bërë të gjitha dëmet e veta. Berisha, që t’ia mohosh cilësitë dhe të hedhësh bojë të zezë vetëm mbi Berishën dhe jo edhe mbi të tjerët, është e gabuar”.

Shehi tha se Berisha ka pasur rolin e tij pozitiv gjatë historisë, megjithatë shtoi se ka pasur edhe momente të panevojshme, duke kujtuar 21 Janarin.

“Ka qenë një raport normal, i vështirë me thënë të drejtën, por unë jam një nëpunës, kam qenë një nëpunës i ndershëm, shumë i rregullt. Kështu që të merresh me mua ai e ka kuptuar që është e kotë. Kam qenë një nëpunës që nuk hap rrugë njëherë. Ti nuk mund të më thuash mua firmose këtë, se unë nuk hap rrugë njëherë. Kjo është e para dhe kjo na ka krijuar një lloj raporti konstruktiv me njëri-tjetrin, që gjithsecili e di kush është oborri i vet.

Në një farë mënyre kjo ka krijuar një tension të brendshëm ku shkarkohesh. Vijnë për shembull zgjedhjet e 96-s, siç duket unë isha bërë më i rrezikshëm se sa duhet dhe ti duhet të largohesh. Unë e kuptoj pse duhet të largohem. Unë nuk largohem pse jam i pazoti, largohem se jam bërë më i zoti se duhet. Pas kaq vjetësh gjykoj që Berisha ka pasur në këtë periudhë edhe gjëra me rëndësi që kanë luajtur rol pozitiv. 

Në mandatin e dytë ka pasur disa momente reflektimi, siç ka pasur edhe elemente të panevojshme politika e 2 vjetëve të fundit, se nuk ishte nevoja të shtihej në bulevard, se ajo tregon një pazotësi të policisë, ajo tregon një tension që është ngritur përqark atij grupi”. 

Sa i takon Metës, Shehi tha se ka pasur raport kalimtar me Presidentin aktual të vendit. Ai u shpreh se gjatë qeverisjes së Metës nuk ka pasur ndonjë shkëlqim, por përkundrazi, administratës iu bë dëm pasi u politizua.

“Raporti me Ilir Metën i imi është shumë pak, është kalimtar. Ilir Meta ka qëndruar shumë në politikë. Ka qeverisur pak vetëm ato dy vjet, nuk ka qenë ndonjë shkëlqim i madh qeverisës. Koncepti im. Mendoj që ka qenë një nga momentet që administratës i është bërë një dëm. Filloi të politizohej në mënyrë të tejskajshme”, tha Shehi.

Në lidhje me raportin e tij me Ramën, Shehi tha se dikur ai kishte pasur pritshmëri nga kryeministri aktual i vendit, por tashmë ai mendon se Rama është një dëm për Shqipërinë.

“Unë kam pasur shumë shpresë, sepse ata që kishin kaluar përpara kishin bërë një lloj rrugëtimi të çaluar, i kishin provuar rrëshqitjet e veta dhe kisha menduar se një njeri që po vinte në mënyrë natyrale, sepse po vinte pas 12 vjet në Bashkinë e Tiranës, që duhet të kishte mësuar nga ana administrative se si qeveriset. E dyta që do kishte mësuar nga gabimet e tjera.

E treta që duke menduar, duke ardhur nga një ambient pa këto komplekse, ti vjen nga provinca, ai vjen nga fshati. Politikën e bëjnë njerëzit. Unë kam menduar që ky brenda mendjemadhësisë, arrogancës, personazhit ‘bizarre’, do të mbizotëronte mirë, keq, ai shtetformuesi, kur në fakt dominuan ‘bizarre’-i, mendjemadhi, boshi, arroganti dhe ç’është mbi të gjitha, i korruptuari”.

Për më tepër, Shehi mendon se Rama është një dëm i madh, dhe se pika më e fortë e kryeministrit aktual është propaganda.

“Jo një zhgënjim, por është një dëm i madh, një rrezik. Ka prishur të gjitha institucionet”.

Për Bashën, Shehi tha se ai është një nga politikanët më normalë, dhe në rast se të gjithë do ti japin një dorë do të mund ta sjellë vendin në gjendje normale.

“Unë kam një mendim pozitiv. Do thuash ti, ky është oportunizmi i një njeriu që jemi në një rresht. Kush është pozitivja? Është i ri në moshë, ka studiuar në Perëndim, nuk është i përzier as me drogën, as me krimin. Siç erdhi puna në Shqipëri, që gjysma e klasës politike është te lista e drogaxhinjve, kështu që ky njeri, që të paktën s’ka lidhje me këtë punë, unë e quaj avantazh. Ka një predospizicion perëndimor. A është ky gjeniu? Nuk na duhen më gjeni. Ne na duhen njerëz normalë. Ky është normal. Nëse do i japim ndonjë dorë, shqiptarët do ta votojnë, unë them se do të kthehemi tek normaliteti”, tha Shehi.

Kreu i LZHK-së nuk e kursey një koment as për liderin historik të socialistëve, Fatos Nanon, për të cilin tha se njohja ka nisur që në vitet ’90.

“E kam njohur pas ‘90. Po të kishte pasur më shumë vullnet për të punuar them që do kishte bërë disa punë më të mira, sepse kishte ide më liberale se të tjerët. Kishte një koncept për demokracinë që të thuash, ishte më qytetar, po të thuash. Po të kishte pasur vullnet për të kontrolluar stafin e vet, atë ambient korruptiv, që mund të ishte dhe vetë brenda, por s’jam prokuror, do kishte bërë ca punë të mira për Shqipërinë”, tha Shehi

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb