Është zbardhur plotësisht plagosja e dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit për një vend parkimi, ku si pasojë morën lëndime 3 persona, një me sende të forta, dhe 2 të tjerë me armë zjarri.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ergys Juba, nga Peqini, pasi ai është autori i plagosjes së shtetasve Valbona dhe Flamur Çerba, nën dhe bir. Ndërkohë që si pasojë e sherrit që ka nisur fillimit me sende të forta, ka mbetur i lënduar dhe shtetasi Zyber Juba, vëllai i autorit të dyshuar.
Si pasojë e errësirës në zonë, dhe numrit të madh të personave që janë përfshirë në konflikt, fillimisht Policia raportoi se autori i plagosjes së dyfishtë ishte Zyber Juba, por me hetimin e prokurorisë u arrit në përfundimin se me armë ka qëlluar shtetasi Ergys Juba.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Policia ka shpallur në kërkim dhe dy persona të tjerë, një prej tyre vëllai i autorit, të cilët dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Po ashtu është proceduar dhe shtetasi O. Çerma, vëllai i Flamurit, që ka goditur me sende të forta Zyber Jubën.
Zbardhja e plotë e ngjarjes ka saktësuar dinamikën e sherrit të mbrëmshëm i cili sipas policisë fillimisht ka nisur midis shtetasit O. Çerma dhe Zyber Juba.
Më pas, Ergys Juba është ngjitur në shtëpi dhe ka marrë armën duke përshkallëzuar konfliktin dhe si pasojë u plagosën nënë e bir.
Gazetarja e Fax news Kloida Gjuzi raportoi se vëllezëerit Juba kishin pak javë që kishin mbërritur në Durrës, nga Peqini, dhe ata i kanë kërkuar Flamur Çermës që të mos e parkonte makinën në vendin ku ata kishin zënë me gur.
Mamaja e Flamur Çermës, ka dalë nga makina për të qetësuar situatën, por është goditur me armë nga ana e Ergys Zybës, ndërkohë që fatmirësisht të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri nënë e bir. Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e dyfishtë. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.
Shpallen në kërkim dhe 2 bashkëpunëtorët e autorit të ngjarjes, të cilët u përfshinë në konflikt, si dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, bënë zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit kryesor të ngjarjes. Në bashkëpunim me DVP Elbasan u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 33 vjeç, banues në Peqin.
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J.
Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.
Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës , rezultoi se shtetasi E. J. (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. J., kanë konsumuar veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç. (vëllai i shtetasit F. Ç.), për veprën penale ” Dëmtime të tjera me dashje”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
