Skip to content

Berat/ Restaurohen ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia”

ikona3

Ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia” i janë nënshtruar procesit të restaurimit nga specialistët e laboratorit të restaurimit të veprave të artit në Berat. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Berat bën të ditur se, “ndërhyrjet konservuese dhe restauruese të ikonave do të konsistojnë në konsolidimin e grundit pelikulit dhe panës së drurit. Do të realizohet gjithashtu pastrimi i ikonës dhe dizinfketimi i drurit nga insektet”.

Sipas DRKK-së, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pas shqyrtimit dhe diskutimit në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës miratoi projektet e restaurimit të dy ikonave. Projektet u hartuan nga specialistët e sektorit të artit në DRKK-Berat. Ndërkohë që në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë DRKK-Berat ka filluar edhe procesi i dizinfektimit të fondit të ikonave. Sipas specialistëve po trajtohet me kujdes çdo ikonë e fondit duke mirëmbajtur dhe ruajtur vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Berat ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit , duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

Sipas DRKK-së, Berat, puna do të vazhdojë me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateljesë ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese./ ATA

ikona1 1
ikona2
ikona3
ikona4
ikona5
ikona6