Skip to content

Koalicioni PD-LSI: Fiton “shtëpia” apo Shqipëria?

Dy partitë më të mëdha të opozitës po mundohen të justifikojnë daljen e tyre veçmas në zgjedhje përmes një koalicioni simbolik për të qeverisur së bashku pas votës të 25 prillit.

“Ky është një bashkim për të ndryshuar Shqipërinë. Tani ka ardhur çasti të bashkohemi, tani ka ardhur çasti të fitojmë së bashku për Shqipërinë, për familjet tuaja, për çdo shqiptar” tha Basha gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ku pika më e rëndësishme është ajo për ta ndarë pushtetin sipas asaj që partitë do të fitojnë në zgjedhje.

Monika Kryemadhi e quajti atë një ditë historike për PD dhe PS por pa e shpjeguar se çfarë kishte të veçantë në këtë shfaqe.

Përtej luajtjes së himnit kombëtar, dhe ceremonialitetit të nënshkrimit marrëveshja nuk ka asnjë fuqi juridike, por vetëm simbolike. Ajo më shumë i ngjan një lloj justifikimi post faktum të faktit se përse opozita nuk doli e bashkuar në një front të vetëm kundër Ramës.

Dhe më mirë se gjithçka kjo tentativë e sforcuar për bashkim artificial duket qartë në slloganin e koalicionit, që i ngjan një bashkimi mekanik të fjalës “shtëpia” që gjendet në slloganin e LSI që i është bashkangjitur “Shqipëria fiton” të PD. Bashkë ka dalë një frazë pa kuptim: “Shqipëria, shtëpia që fiton”.

Ana tjetër e marrëveshjes me 13 pika është fakti se branda saj nuk gjendet asnjë angazhim konkret dhe i fortë dhe as ndonjë afat për realizimin e ndonjë premtimi të caktuar. Më shumë drafti i firmosur i ngjan frazave parafabrikat si pika 11- Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit..

Pra e thënë shkurt ngjarja e sotme qe më shumë një shfaqe për të zbutur një realitet: atë që PD dhe LSI, nuk bënë dot një koalicion mes tyre.(Lapsi.al)