Skip to content

Pamjet skandaloze të tregtimit të mishit dhe ushqimeve, në tregun e Milotit askush s’ka vënë dorë që nga 1920-ta

Një grup të rinjsh aktivistë kanë nisur mbledhjen e firmave të qytetarëve të Kurbinit në një nismë për rregullimin dhe rindërtimin e Pazarit të Milotit.

Situata disa dhjetëra vjeçare në këtë treg vazhdon të mbetet e njëjtë, me tregtarë nga e gjithë zona e Veriut që shkojnë atje dhe tregtojnë produktet e tyre në kushte aspak normale.

Më e rëndë situata bëhet në këto kushte pandemie, sidomos të dielën, kur Miloti mbledh qindra banorë për të shitur bagëti, produkte ushqimore dhe produkte industriale. Në mungesën e një tregu me parametrat e duhura gra, burra, fëmijë të moshuar ulen buzë rrugës për të tregtuar ato gjëra që kanë mundur të sajojnë për këtë javë.

Pikërisht për këtë, të rinjtë aktivistë të mbështetur nga “Lëviz Albania”, kanë iniciuar një projekt që ka në qendër rehabilitimin e Pazarit të Milotit. Ky treg ekziston që nga viti 1920, por të tillë degradim nuk e ka parë kurrë dhe çdo ditë që kalon, bëhet më keq.

Në një lidhje skype për “Wake Up”, aktivistja Aida Ajazi tregoi për çfarë do shërbejë konkretisht ky peticion.

“Ne jemi një grup aktivistësh të rinj nga rrethi i Kurbinit dhe ajo që na shqetësonte ne më së shumti, ishte gjendja në të cilën ndodhet Pazari i Milotit.

Për këtë u sensibilizuam si grup të rinjsh dhe vendosëm të marrin këtë nismë dhe me mbështetjen e ‘Lëviz Albania’ kemi filluar një sërë aktivitetesh.

Qëllimi kryesor është të ndërgjegjësojmë qytetarët e Kurbinit si fillim dhe zëri ynë të dëgjohet edhe në Bashki, që të rehabilitohet Pazari i Milotit”, u shpreh aktivistja.

/faxweb