Skip to content

Franca pranon se simboli i rezistencës algjeriane, Ali Boumendjel, u masakrua nga ushtria franceze

Franca pranoi se avokati Ali Boumendjel, një nga emrat simbol të rezistencës algjeriane u masakrua me torturë nga ushtria franceze gjatë Luftës për Pavarësinë e Algjerisë në vitin 1957.

Në një deklaratë nga pallati Elysee thuhet se presidenti Emmanuel Macron ka marrë këtë vendim në përputhje me rekomandimet që historiani Benjamin Stora ka paraqitur në raportin e tij më 20 janar lidhur me historinë koloniale të Francës dhe luftën e Algjerisë.

Macron dje në një takim në pallatin Elysee me fëmijët e Boumendjel pranoi se babai i tyre është vrarë nga forcat koloniale franceze dhe jo sikur pretendohej që është “vetëvrarë” thuhet në deklaratën në të cilën njoftohet se presidenti francez këtë pranim e ka bërë në emër të Francës.

Më tej në deklaratë theksohet se Boumendjel që kundërshtoi sistemin kolonial u arrestua dhe u dërgua në një vend të fshehtë nga ushtarët francezë me urdhër të gjeneralit torturues francez, Paul Aussaresses dhe se pas torturave këtu ai u masakrua më 23 mars 1957.

Dosja koloniale mes dy vendeve

Raporti i përgatitur nga historiani Stora me kërkesë të presidentit Macron lidhur me periudhën koloniale të Francës në Algjeri e cila fillon nga 1830 dhe përfundon në 1966, ka sjellë sërish në rend dite debatin kolonial mes dy vendeve.

Sipas raportit, Franca në territorin e Algjerisë ka kryer 17 prova të ndryshme bërthamore dhe se minat dhe shpërthyesit që forcat franceze kanë vendosur në territor kanë shkaktuar humbjen e jetëve të mijëra algjerianëve.

Ndërsa lajmet në shtypin francez se Macron nuk do të kërkojë falje për këtë çështje janë pritur me reagime në Algjeri.

Algjeria e cila përbën shembullin më të fundit dhe më të përgjakshëm të historisë koloniale të Francës në kontinentin e Afrikës, filloi luftën e saj për pavarësi në vitin 1954.

Teksa pranohet që Algjeria është një prej vendeve që ka paguar koston më të rëndë në luftën e saj 8-vjeçare për pavarësi, dhimbjet e mëdha të përjetuara janë shkruar si “njolla e zezë” që Franca ka lënë derisa tërhiqej nga Afrika.

Në luftën çnjerëzore që vazhdoi për vite kanë humbur jetën rreth 1.5 milionë algjerianë ndërsa miliona të tjerë u zhvendosën nga vendi i tyre.