Skip to content

Blendi Fevziu: Edi Rama është konsumuar, por opozita nuk ka frymë

Për Blendi Fevziun, zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhjet më të balancuara që pas atyre të vitit 2009.

Ai shtoi se këto zgjedhje nuk kanë frymë, duke marrë shembullin e atyre të 2005-ës, ku sipas tij, ziente i gjithë vendi. Ndërsa i etiketoi këto votime si një lojë shahu me partitë politike që po bëjnë kalkulimet e tyre.

Fevziu u shpreh se, për momentin, më të organizuara në terren duken PS dhe LSI ndërsa shtoi se terreni më i mirë për opozitën është konsumimi 8-vjeçar i kësaj mazhorance.

Besmira PelushajVendi ka nevojë për rotacion pas tetë vitesh apo është më afër risisë që do ketë një mandat të tretë?

Blendi Fevziu: Për mua të gjitha palët kanë terren. Së pari opozita ka terren shumë të përshtatshëm të 8 viteve qeverisje të kësaj mazhorance, që janë një konsum i jashtëzakonshëm. 

Dhe asnjë mazhorancë deri më sot nuk ka arritur të marrë një mandat të tretë. Një mandat i tretë është i vështirë kudo në Europë.

Nga ana tjetër, qeverisja ka avantazhin e mungesës së një fryme të madhe entuziasmi përballë saj, që duhej të ishte ngritur ndërkohë. Dhe ka avantazhin e një organizimi më të mirë që vjen nga qeverisja. Këtu janë balancat.