Skip to content

Zyrtare: Najada Çomo i bashkohet PS-së, garon për zgjedhjet e 25 prillit

Në prezantimin e planit për shëndetësinë, kryeministri Edi Rama i kërkoi shefes së Spitalit Infektiv që të bëhet pjesë e partisë Socialiste, për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit.

“Është momenti për ta thënë këtë që të gjithë ta dëgjojnë. Jam shumë mirënjohës edhe për një fakt tjetër, që duke pasur parasysh që në këtë udhëkryq që është kjo përballje, kjo ndeshje, kjo garë e 25 prillit, Shqipëria duhet të flasë, duhet të ndjejë, duhet të jehojë zërin, në radhë të parë të atyre që qoftë në vijën e parë të kësaj lufte, po qoftë dhe në anën tjetër të kësaj vije.

Eshtë me siguri një arsye për të reflektuar lidhur me vetë skuadrën tonë, është një arsye për të bërë një hap dhe për të shtrirë dorën e lutjes duke kërkuar që dikush dhe kush më mirë sesa komandantja e vijës së zjarrin e njohur nga të gjithë të vijë me ne, jo për t’u bërë deputetja e radhës në grup e deputeteve dhe deputetëve, as për të lënë vijën e zjarrit për t’u ulur në një nga karriget”, tha Rama.

Në fjalën e saj, krah kryeministrit Edi Rama, vetë Najada Çomo foli për vështirësitë e punës në frontin e COVID, por edhe për sulmet. Çomo tha se bluzat e bardha janë kthyer në një shërbim familjar për pacientët.

“Faleminderit zoti kryeminsitër, jam e nderuar që jam këtu sot, dhe dëgjova fjalë shumë të mira për ata kolegë që janë në vijën e zjarrit. Nuk është vetëm një vit pandemik, janë vite të tëra pune, janë një armatë e tërë mjekësh, infermierësh, sanitarësh, imazheristët, që japin ndihmën e tyre, dhe kalojnë vuajtje të paimagjinueshme.

Pse e them këtë? Pasi është hera e parë që ne ndjekim pacientë brenda spitalit pa hyrë askush brenda. Atyre njerëzve u mungon familja, kjo është diçka shumë e rëndë për ta.

Ne për ata nuk kemi qenë vetëm mjek, infermier, por u shërbejmë si të ishim familjarët e tyre. Ne punojmë me ta, vuajmë me ta, te ne do gjeni shumë lotë, që shumë nga jashtë si kanë parë, dhe as do ti shohin. Lotët janë dhe për jetët e humbura brenda spitaleve Covid.

Aty nuk punohet me orare, aty ka filluar puna në 8 Mars, dhe do të mbarojë me rastin e fundit, shpeshherë pyes veten, mirë unë që e kam për detyrë, sepse e drejtoj këtë institucion, por ata njerëz që na janë bashkuar? Është e vështirë që të punosh me ta, por në punën tënde ke dhe kënaqësi profesionale”, u shpreh Çomo gjatë fjalës së saj.