Skip to content

Freedom House: Ilir Meta, simbol i korrupsionit. Lufta kundër këtij fenomeni mori goditje me zgjedhjen e tij President

Presidenti i Republikës tashmë është vënë në dizpozicion të politikës me kohë të plotë, duke mos preferuar as të kamuflohet.

Teksa i ka hedhur “dorashkën” Lulzim Bashës, duke e paralajmëruar se pas 25 prillit, nëse Edi Rama merr 71 votat e nevojshme për të qeverisur për një mandat të tretë, do të jepte dorëheqjen si President dhe do të merrte drejtimin e opozitës, Meta ka dalë hapur në ambicien e tij.

Për më tepër që i ka shkelur të gjithë nenet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton që në prembulën e saj një Presidenti mbi palët dhe simbol të unitetit të kombit.

Kreu aktual i shtetit është bërë palë, dhe nuk rresht sulmet ndaj përfaqësuesve të së paku gjysmës së kombit, duke bërë thirrje madje popullit opozitar që ta rrëzojnë në “referendumin e 25 prillit”!

Madje ka bërë apel dhe për përmbysje të Edi Ramës. Njëherësh, kërcënon partnerin kryesor të Shqipërisë, SHBA-në se “do të kapë për veshi amerikanët”.

Por Presidenti aktual shfrytëzon të gjitha raportet, mundësinë, zërat kundër që vijnë dhe nga organizatat prestixhioze ndërkombëtare dhe kritikojnë institucionet shqiptare, në këtë situatë pandemie, apo kur drejtësia e re është akoma në hapat e parë.

Rasti më i fundit është raporti i “Freedon House” për Shqipërinë, ku Ilir Meta e komenton si një shqetësim për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ku vendi ynë sipas tij është “një hap më pranë autoritarizmit”.

Duke cituar Raportin, Presidenti thotë se Shqipëria ka zbritur mes regjimeve hibride për shkak të shembjes së Teatrit, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen e Klodian Rashës gjatë pandemisë.

Sipas Metës, këto janë shenja dhe një kambanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor. Zgjidhja për të gjitha këto probleme sipas kreut të shtetit janë zgjedhjet e 25 Prillit.

“Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një kambanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh.

Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian”, reagoi mes të tjerave të mërkurën  Meta.

Ndonëse kjo organizatë është treguar shumë e ashpër dhe për vende të tjera me demokraci të zhvilluar, të cilat në kohën e pandemisë u detyruan të vepronin me ashpërsi për masat e marra nga qeveritë përkatëse për bllokimin e përhapjen e pandemisë, Meta ngre shqetësimin në mënyrë publike sikur vetëm në Shqipëri ka pasur izolim apo masa të tjera shtrënguese!

Duke parë reagimin e Ilir Metës për raportin e “Freedom Hous”e për Shqipërinë, por dhe mbështetjen që i kanë dhënë lidershipi i LSI një ditë më parë, duke akuzuar qeverinë Rama, gjithkush mund të mendojë se kreu i shtetit i beson të gjitha të dhënat e raportit të kësaj organizate.

Mirë bën! Shqiptarët ndjehen më mirë kur Presidenti i tyre beson diku, pasi është përballur shpesh me paranojat e tij, që kanë të bëjnë me “skenare të mafias ndërkombëtare, në bashkëpunim me Edi Ramën” për ta vënë para drejtësisë apo për ta futur në burg si shkallën më të fundit të penalizimit për “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit!

Por Ilir Meta raportet e “Freedon House” i ka mbështetur sipas interesit të vet, dhe kur kanë qënë dukshëm kundër tij, aijo vetëm që nuk i ka vlerësuar, por e ka quajtur një organizatë jo serioze!

Rasti më konkret është raporti i 11 prillit të vitit 2018 i “Freedon House”, i cili publikoi gjetjet për nivelin e demokracisë në Shqipëri për vitin 2017.

Edhe para tre vitesh, sipas konkluzioneve të këtij raporti, Shqipëria ishte në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse kishte shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit, 25 qershorit 2017, që u zhvilluan të qeta.

Por në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House “Vendet në Tranizicion” të vitit 2018, një përmbledhje të së cilit e përgatiti në atë kohë “VOA”, thuhej se arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën nga zgjedhja si president i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” .

Një akuzë tepër e rëndë kjo e bërë nga një organizatë e cilësuar herë pas here dhe nga vetë Ilir Meta, si më prestixhioze në arenën ndërkombëtare. E teksa paraqet vështirësitë e implementimit të Reformës në Drejtësi dhe ngjitjes së njerëzve më të korruptuar në vend në krye të shtetit, “Freedon House” përmend me emër dhe mbiemër pikërisht Ilir Metën si pengesën më të madhe të reformës në drejtësi. Akuzë që vijon dhe sot e kësaj dite ndaj tij!

“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e PS.

Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”, thuhet në raport.

Menjëherë Presidenca reagoi ashpër, teksa nënvizoi: “Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të ‘Freedom House’ në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.

Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.

Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.

Nëse ‘Freedom House’ është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House”.

Pra atëherë kur përmendte Ilir Metën si “simbol të korrupsionit në Shqipëri”, kjo organizatë ishte e përdorur politikisht.

Ndërsa ditën e djeshme Presidenti, në funksion të axhendës së tij politike në favor të LSI, partisë që drejtohe tnga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, Meta kishte qëmtuar pasazhe, madje deri dhe jashtë kontekstit për të sulmuar qeverinë.

Jo se në Shqipëri nuk ka probleme! Ka sa të duash, të mbartura dhe të lindura rishtas madje. Por “Freedom House” në shumicën e tyre evidentonte faktin se instituciuonet dhe qeveria po bëjnë të pamundurën për të luftuar të gjitha fenomenet.

Ndërkohë që qëndrimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë është i palëkundur në një pikë: Ilir Meta është njeriu që ka bërë të gjitha përpjekjet për të bllokuar Reformën në Drejtësi, është i trembur nga drejtësia e re dhe po bën çfarë është e mundurt për ta sabotuar atë. Ky është qëndrim konstant i ndërkombëtarëve. Që me Ilir Metën në krye të shtetit, reforma në drejtësi nuk ka kuptim!/M.N-TemA