Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat me BE-në, Zef Mazi, në një intervistë për emisionin “Real Story”, në “News 24”, u ndal tek kontributi i partive politike, në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas Mazit, partitë politike duhet të ulin tonet dhe të gjithë bashkë të kontribuojnë në këtë aspekt, pasi ajo që fiton në fund është vetëm Shqipëria.
“Ky është një projekt madhor. Kjo është në të mirë të vendit. Në institucionet ndërkombëtare nuk integrohen partitë politike, por vendi.
Kur u integrua Shqipëria në NATO, unë isha ambasador në Londër. Në krye ishte PD, por u fut Shqipëria jo partia.
Duhet të dihet se përafrimi me korpusin ligjor që ka marrë vendim unioni që nga ’57-a e këndej, rrok 15 kapituj e mijëra faqe.
Duhet të bëhen të gjithë bashkë për këtë punë, është në interes të vendit tonë. Për këtë gjë, që unë kam nderin të kontribuoj, duhet të ndihmojnë të gjithë, e jo me fjalë e retorikë.
Ka ardhur koha të ulen tonet dhe të bashkëpunohet. Projekti i integrimit, që ka nisur vjet, që të hapen negociatat për Shqipërinë, nuk ka hapje politike, është hapur.
Ne presim që të ulemi dhe të diskutohet me unionin. Sa më shumë ne të mos kemi kujdes për pikërisht hedhjen baltë, aq më shumë do të ndikojë në mendimin e politikanëve karshi nesh”, u shpreh kryenegociatori.
