Analisti Mustafa Nano ka deklaruar se është pro bashkëpunimit të mundshëm PD-PS pas zgjedhjeve.
Nano tha se edhe pse PD e ka hedhur poshtë këtë mundësi, ky bashkëpunim do t’i jepte fund konfliktit PD-PS ndër vite dhe se nuk do të ketë më njerëz nëpër rrugë, të cilët do të sulmonin apo dhunonin institucionet.
“PD e ka hedhur poshtë bashkëpunimin. Po ta pranonin, do penalizoheshin shumë. Nuk di nëse ekziston. Është një ide që edhe mund të qëndrojë.
Një nga avantazhet është që do të marrë fund konflkti i gjatë PD-PS. Në këtë kuptim nuk do të kemi më njerëz që dalin rrugëve dhe dhunojnë institucionet.
Por problemi është se vendi mund të mbesë pa opozitë. Unë jam pro këtij bashkëpunimi, por vendi rrezikon të mbetet pa opozitë. Këtu është e vështirë të mbahej nën kontroll kjo“, tha Nano.
Sa i takon thirrjes së ambasadores amerikane për të mbajtur jashtë listave të kandidatëve persona të inkriminuar, Nano tha se kjo do të reflektohet në listat e reja.
“Emërimet janë si rezultat i presionit nga të huajt, por edhe nga presioni i brendshëm. Unë besoj se këto zgjedhje do të kenë listat me kredencialet më të larta”, tha ai.
