Skip to content

Debate në Kryesinë e PS: Ditmir Bushati paralajmëron largimin nga PS

Edi Rama është përballur me kritika dhe debate nga deputetët socialiste, rreth ndryshimeve të forta në lista.

Debatet kryesore i ka pasur me Pandeli Majkon, Fatmir Xhafajn, Mimi Kodhelin dhe Ditmir Bushatin, ndërsa me Bled Cucin ka pasur debat nëse duhet të ishte i treti apo i dyti në Qarkun e Gjiroakstrës.

Debati ishte se Cuci kërkonte vendin e tretë, ndërsa objektivi bazë i PS është vendi i dytë.

Me Majkon ka pasur debat rreth pozicionit të tij në listë si nr. 19, që përbën dhe pozicionin e udhëheqësit politik të Qarkut.

Majko i ka kërkuar të quhet dhe Rama bashkedrejtues politik, që të marrë dhe ai përgjegjësi.

Ndërkohë Xhafaj dhe Kodheli kanë debatuar për vendet e tyre jashtë zonës së sigurisë.

Por Rama e ka justifikuar këtë me përvojën e tyre të gjatë si socialiste dhe mundësinë për vota popullore.

Ditmir Bushati ndëkrohë ka paralajmëruar ikjen e tij nga Partia Socialiste, duke deklaruar se Shqipëria është më e madhe se Partia Socialiste dhe ai do ta vazhdoje luftën e tij deri në fund.

Unë do vazhdoj te jem aktiv ne mjedisin publik. Ju keni menduar se kjo është skuadra fituese, por aktiviteti nuk lidhet me partinë domosdoshmërish. Angazhimi im politik nuk mbaron këtu”, mësohet se ka deklaruar Bushati.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama nuk ia ka kursyer një kundërpërgjigje. Ai theksoi se PS i ka dhënë gjithçka dhe se tani është koha që Bushati të kontribuojë për partinë.

“Betejën e ke braktisur vetë. S’ta ka fajin Partia Socialiste. Të ka dhënë gjithçka Partia Socialiste dhe është koha të kontribuosh për PS”, ka thënë Rama.