Skip to content

Shqipëria apo partia? Rasti i Ditmir Bushatit dhe si tallej Blushi me të (edhe pse s’ndryshojnë shumë)

Pesë vjet më parë, Ben Blushi nisi një tjetër lëvizje kundër Edi Ramës, pas dështimit të LMN-së, që e krijoi me Kaç Islamin e Arben Malajn, dhe kuptohet, dhe me ndihmën e Berishës.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e PS-së, ndërsa përgatitej për t’u larguar dhe krijuar partinë e tij, Blushi shprehet se ai vinte Shqipërinë mbi partinë.

Në atë kohë, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati që tha se partia qëndron mbi Shqipërinë.

Tani, me siguri Bushati ka ndryshuar mendim, pasi pasi ndryshe mendon kur je në pushtet, e ndryshe kur s’ke më ofiqet e pushtetit.

Tani Bushati shfaqet si idealist, që vë Shqipërinë mbi partinë.

Ironia ndërkohë është se kanë ndryshuar edhe vendet, pasi edhe Blushi, që deklaronte se ndiqte Shqipërinë, jo partinë, tani është prapë me partinë, por në pozicion tjetër, atë të drejtorit të televizionit më të rëndësishëm në vend.

Çka tregon në fakt, se këtu askush nuk mendon për Shqipërinë!

Megjithatë, ja vlen ta rikthehjmë edhe njëherë shkrimin e Blushit, meqë të gjithë thonë se mendojnë për Shqipërinë.

Shkrimi i Blushit

“Një fjali e imja, se zgjedh Shqipërinë mbi Partinë, u kthye në një mundësi të re për të më kundërshtuar.

Akoma nuk e kam kuptuar pse më kundërshtuan.

Nëse i shtyu nevoja për t’u marrë me njeriun dhe jo me idenë, ky ishte rasti për të dëshmuar se ku të çon rendja pas njeriut dhe jo pas idesë që ai ka.

Është e qartë ku të çon. Në idiotësi.

Megjithatë, ajo që ndodhi, kur disa socialistë të trazuar zgjodhën Partinë mbi Shqipërinë, është çështja themelore që më ndan me ta.

Dhe do më ndajë përherë.

Prandaj më vjen mirë që doli në publik, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë se nuk ndahemi për një presje, nuk ndahemi për një pikë, nuk ndahemi për një stol, nuk ndahemi për një rol, nuk ndahemi për një timon, ndahemi për një hon, nuk ndahemi për një rrotë, nuk ndahemi për disa rrota, nuk ndahemi për disa vota, nuk ndahemi për disa gota, nuk ndahemi për një kat, nuk ndahemi për një pjatë, nuk ndahemi për një lugë, por ndahemi për një rrugë.

E meqë jemi te rruga duhet të them se, sot jam edhe më larg tyre dhe nëse ata vazhdojnë të zgjedhin Partinë mbi Shqipërinë, distanca jonë do jetë edhe më e madhe dhe nuk kam ndërmend ta shkurtoj.

Ata le të ndjekin Partinë, Unë do ndjek Shqipërinë.

Por çështja është se, koha po më bind që zgjedhja e Partisë para Shqipërisë nuk ishte një gabim. Nuk ishte një harrim. Nuk ishte një shpagim. Nuk ishte një trishtim. Nuk ishte një letim. Nuk ishte një maskim. Nuk ishte një trillim. Nuk ishte një zhvillim. Nuk ishte një thellim. Ishte një vazhdim.

Ata e kanë seriozisht.

Shqiptarë që kanë zgjedhur Partinë mbi Shqipërinë, ka patur plot. Kush beson se ata nuk janë më, e ka gabim. Ja ku janë.

Nuk janë zhdukur si specie.

Une vetë njoh disa prej tyre. Por tani nuk i njoh vetëm unë. Sepse nuk duhej t’i njihja vetëm unë.

I yshta të dalin në ekran dhe ata nuk ngurruan.

Jo sepse nuk dinë të flasin. Por se nuk dinë të mendojnë para se të flasin.

Sepse besojnë se kanë të drejtë të flasin, para se të flasin kur kanë të drejtë.

Megjithatë, duke zgjedhur Shqipërinë mbi Partinë, unë nuk thashë një fjali.

Unë bëra një zgjedhje.

Për këtë zgjedhje nuk kam patur kurrë asnjë dilemë dhe asnjëherë nuk kam preferuar ta them, sepse kam menduar se kështu është dhe kështu duhet të jetë për të gjithë.

Qofshin socialistë apo konformistë. Qofshin të ditur apo të paditur. Qofshin ministra apo kanistra. Qofshin karvanë apo matanë. Qofshin me hirin apo pahirin. Qofshin me punën apo me dhunën. Qofshin shumë apo lumë. Qofshin një apo asnjë. Qofshin diç apo hiç. Qofshin të pamë, të lame të mbramë apo të ramë.

Unë kam besuar se Shqipëria është mbi Partinë për të gjithë shqiptarët. Kushdo qofshin ata.

Por ja që jam gabuar.

Megjithatë dua ta shpjegoj.

Çfarë është Shqipëria dhe çfarë është Partia?

E para, Partia të blen dhe të ushqen, Shqipëria të ngop dhe të bren.

E dyta, me Partinë lodhesh dhe fle, me Shqipërinë gdhihesh, zgjohesh dhe bje.

E treta, Partia është një strehë që ndrron, Shqipëria është e vetmja shtëpi që të mbron.

E katërta, Partia ndotet si ndrresa, Shqipëria është e qashtër dhe e pastër, është krijesa.

E pesta, Partia është qerrja, është shiu dhe parmenda, Shqipëria është toka, është uji dhe lënda.

E gjashta, Partia është një muzikë që të ul dhe tundet, Shqipëria është himn që të shkul dhe shkundet.

E shtata, Partia është kafshatë, është thikë dhe presë, Shqipëria është ushqim, është bukë dhe besë.

E teta, Partia është zgjedhje e shkurtër që ndan, Shqipëria është zgjidhje pa fund që të mban.

E nënta, Partia është grup dhe kuvend, Shqipërinë e duam si trup dhe si vend.

E dhjeta, Partia vyshket dhe tretet, Shqipëria është, do të jetë dhe mbetet.

Doni më për Partinë? Unë mund të flas shumë për Shqipërinë.

Mes Shqipërisë dhe Partisëka edhe mijëra dallime të tjera.

Nuk jam në gjendje t’i them të gjitha, sepse Shqipëria mund t’i gjejë tre milionë ndryshime.

Por, meqë më thirrën në këtë pistë, dua të them se do doja të humbja një garë ku injoranca kthehet në vendim me shumicë votash.

Shqipëria ta gjykojë, kush është në pakicë.