Ambasadorja amerikane, Yuri Kim komentoi nga Elbasani sërish kandidatët në listat e partive politike, teksa u shpreh se shumica partive i kanë marrë prasysh kërkesat e SHBA.
Në një deklaratë për mediat, Kim theksoi se janë tre emra që Sekretari i Shtetit në SHBA ka përcaktuar, të dyshuar të përfshirë në ështje korrupsioni.
Gjithashtu Yuri Kim nënvizoi se disa kandidatë që janë në lista mund të skualifikohen, duke shtuar se ata që blejnë votat, po shkelin ligjin e po turpërojnë veten.
“Kjo është një javë e rëndëishme pasi partitë kanë dorëzuar listat. Në të shkuarën gara në Elbasan ka qenë e rëndësishme ndaj vendosa të vija këtu që ta shihja vetë situatën dhe të flisja vetë me njerëzit. SHBA e ka bërë të qartë pritshmërinë për kandidatë të pastër.
Është thelbësore që liderët të marrin përgjegjësi që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar. E di që disa njerëz do të thonë ‘po ai është i përcaktuar nga ligjet e SHBA, por nuk është i denuar nga ndonjë gjykatë.
Në fakt njerëzit me logjikë të thjeshtë duhet ta kuptonin se kjo nuk vjen pse s’ka fakte, por për shkak të boshllëqeve të ligjit shqiptar.
Gjithashtu kjo ka të bëjë me faktin se nëse Sekretari i Shtetit ka përcaktuar se ky person përbën rrezik për sigurinë e SHBA, qytetarët shqiptarë duhet të mendojnë nëse përbën kërcënim edhe për ta. Ka tre persona që Sekretari i SHBA ka përcaktuar.
Nuk do t’ua them emrat me gojën time, por mund të shihni dhe t’i gjeni vetë. Për çështjen e listave më lejoni t’ju them se këndvështrimi i SHBA është shumë i qartë. Mendoj që partitë e kanë marrë këtë gjë në konsideratë. Jo të gjitha, por pjesa më e madhe e tyre.
Kam dëgjuar që blerja e votës është problem në Elbasan, dhe jo vetëm në Elbasan. Atyre që blejnë votën do t’ju thoja jeni duke shkelur ligjin dhe jeni duke turpëruar vendin tuaj. Atyre që u kërkohet t’u blihet vota do t’u thoja vota juaj është pushteti juaj.
Nuk është për t’u habitur nëse disa prej disa kandidatëve mund të skualifikohen. Këtu qëndron fuqia përfundimtare, qëndron te votuesit”. – tha Yuri Kim.
(TemA)
