Skip to content

Grida Duma: Pas emrave të panjohur në listat e PS fshihen mëkatet e të korruptuarve

Ish-deputetja e PD-së, Grida Duma, ka komentuar mbrëmjen e kësaj të mërkure listën e PS-së, teksa është shprehur se pas emrave të panjohur të socialistëve, fshihen mëkatet e figurave të korruptuara.

Duma ka thënë se kjo nuk është strategji, por është e vetmja lëvizje që PS ka mundur të bëjë.

Partia Socialiste ka operuar ndryshe, emrat tradicionalë i ka vënë në vendin e 8-të ose të 9-të, jo në vendin e parë të qarqeve. Mendoni se është një taktikë fituese nga ana e PS kjo sepse detyrimisht ata do të shtyjnë vendet e para?

Grida Duma: Është një taktikë që tenton të fshehë pas disa emrave të panjohur, sepse aq sa kam parë nga lista e PS janë disa emra të panjohur në krye të disa qarqeve. Pra, pas emrave të cilët nuk kanë mëkate, por nuk kanë as rezultate, fshihen mëkatet e vendeve poshtë. Nuk mbulohet dielli me shoshë. Nuk mund të fshihet në asnjë nivel dëmi, mëkati, korrupsioni, hajdutëria dhe llumi i qeverisjes Rama nëpërmjet disa emrave të panjohur. Kjo nuk është strategji, por është e vetmja lëvizje që ata kanë mundur të bëjnë si pasojë e dëshpërimit ku janë.