Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Gratë kanë aftësi të lindura për të komunikuar fuqishëm çfarë ato besojnë se është e vërtetë në zemrat e tyre. Dr.Hamdan gjithashtu tregon që:”Gratë janë gjithashtu më të fuqishme në termat e aftësive verbale dhe emocionale”.

Dikur diskutoje çështjen e bukurisë së humbur pas vështirësisë së sprovës,dikur u trishtove se fytyra jote nuk rezatonte shëndet si më parë,dikur u ankove për trupin e dobësuar si pasojë e sëmundjes, dikur syri yt ishte i vetmuar edhe pse ndodheshe në mesin e njerëzve,por mos harro ti je më e bukur  sesa hyritë e xhenetit.Ti je më e pastër se to ,ti je më e dashur se to ,kjo është kohë e sprovave dhe Zoti sprovon atë të cilin e do shumë pasi dëshiron t’ia dëgjojë lutjen,përgjërimin,brengën në zemër. Zoti nuk dëshiron që ti të jesh njëra prej grave të shumta të kësaj bote,  Zoti dëshiroi të të nderojë nëpërmjet sprovës pasi kjo e fundit është përgatitje për përjetësi ,edukim që krijimi të shihet me sytë e përsosmërisë ndërsa krijesat të qëmtohet kjo përsosmëri. Gratë e dunjasë janë më të mira sesa hyritë symëdha ,ka thënë Muhamedi alejhi selam,por me çka e fituan këtë epitet ? Me namazin, agjërimin dhe adhurimin e tyre për Allahun,me durimin kur të gjithë i etiketonin si mesjetare,me durimin kur humbnin ndonjë prej fëmijëve të tyre,me kënaqësinë e caktimit edhe pse kjo botë është më e vështirë për to,me durimin në momentet  kur dikush hedh baltë mbi nderin e tyre etj. Fytyrat e tyre ua ka veshur Allahu me dritë (nur), trupin e tyre me mëndafsh; me ngjyrë të bardhë, rrobat ngjyrë të gjelbër ndërsa stolitë ngjyrë të verdhë, temjani (mjeti, me të cilin pafrymosen) është nga margaritarët, krehrit e tyre janë nga ari, thonë: Ne jemi të përjetshme dhe nuk vdesim”.

Më beso ti je më e mirë sesa hyritë e xhenetit ,ato u krijuan si privilegj ndësa ti e fitove privilegjin me mundin tënd ,dikur më ankoheshe për lumturinë e të kaluarës ndërsa të thoja se e kaluara është përjetim i domosdoshëm për të kuptuar të ardhmen,për të kuptuar se ajo që duam ne mundet të mos jetë më e mirë për vet interesin e zemrës tonë, ndërsa ajo që do Zoti ynë për ne është synimi  më i madh të cilin duhet ta kërkojmë. Disa njerëz thonë: “U mundova të besoj dhe mendoj pozitivisht por ajo nuk funksionoi për mua”. Ndoshta atë që e ke shpresuar nuk ka qenë gjëja më e mirë për ty. Ndoshta ajo nuk ka qenë në harmoni me përcaktimin e Allahut. Kur përpiqemi të jetojmë në harmoni me vullnetin e Allahut, dhe nuk këmbëngulim të çojmë mënyrën tonë, atëherë gjërat kthehen në mënyrë të duhur. Jo çdoherë ndodh ashtu siç duam ne, por megjithatë ato janë të drejta.E ku e di ti apo unë se cila është mënyra më e kënaqshme e  jetesës tonë,si mundet ta kuptojmë kur ne e kemi shikimin tek materia ndërsa Allahu sheh shpirtin tonë .Më beso ti do jesh gjithnjë e bukur për mua sepse unë tek ty nuk vlersova rrobat,bukurinë apo moshën tënde por shpirtin si pasqyrim i vërtetë i asaj që është edhe prej objektivave hyjnore, shpirtit të cilit do ti vishen një ditë petka edhe më të mira edhe më të bukura sesa të gjitha hyjritë e xhenetit.

Mos u dëshpëro kurrsesi nga sprovat, nga dhimbjet, nga humja e pasurisë,pasi pikërisht nëpërmjet tyre Zoti dëshiron ta mbrojë trupin tënd duke të lartësuar shpirtësisht  në përjetësi.Dikur gjyshja ime rahmet pastë po i thoshte njërës prej kushërirave të mija pasi edhe kjo e fundit ashtu si ty ishte sprovuar  me vështrësi të ndryshme dhe kishte humbur mjaft peshë ,ajo i tha : Kur kishe këtë(pra bukurinë e fytyrës) nuk kishe këtë(mendjen) ndërsa tani që ke këtë (mendjen) nuk të duhet kjo(pra fytyra e bukur). Edhe pse pa shkollë gjyshja ime arriti ta stepte për një moment atë grua ,edhe pse nuk fliste me shumë urtësi kësaj radhe arriti ti jepte me pak fjalë një këshillë që besoj ajo nuk e ka harruar edhe sot e kësaj dite,realisht as unë nuk e harrova pasi ajo këshillë është universale dhe ska të bëjë vetëm me një gjini.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re