Deputetja socialiste Mimi Kodheli është renditur e 21-ta në listën e qarkut të Tiranës, që do të thotë në një zonë jo të sigurtë, ndaj i duhet të marrë shumë vota që të marrë mandatin e deputetit.
Në një takim të zhvilluar në njësinë 13 në Tiranë, e shoqëruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, ajo ka kërkuar votën e qytetarëve për vete dhe Partinë Socialiste.
Kodheli iu drejtua simpatizantëve se ata kanë bërë më shumë për PS-në edhe se familja e saj, ndaj i konsideron më shumë se njerëzit e saj të gjakut.
“Nuk di ta numëroj e sata fushatë është për mua kjo. Çdo fushatë ka emocionet e veta.
Besomëni, ju që jeni këtu prezent, bëni për familjen tonë të përbashkët socialiste dhe për mua personalisht, atë që familjarët e mi nuk do ta bënin dot.
Prandaj unë ju konsideroj më shumë sesa njerëzit e mi të gjakut. Besojeni këtë.
Dhe për pasojë, edhe ju duhet të më konsideroni ju nesër, që nga sot e deri atë ditë në të njëjtën mënyrë.
Ne vijmë me duart plot dhe jo kokën menjëanë dhe kjo duhet të na e lehtësojë fushatën” u shpreh Kodheli.
Nga ana e tij, Veliaj, pasi ka vleresuar Kodhelin, eshte shprehur se lagji 13 ka ndryshuar shumë me investime që ua kanë rritur vlerën pronës, prandaj është e rëndësishme të vijojmë punët që kemi nisur për transformimin e Tiranes.
