“Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe zotimit të qeverisë së Kosovës ndaj qeverisë izraelite dhe administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem”, thuhet në njoftim.
Më tej sqarohet se gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, theksohet në njoftim.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës, “vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jerusalem”.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim. / AA
