Skip to content

Kujtuat se erdhi pranvera? Gaboheni. Dëbora zbardh Mirëditën, trashësia arrin deri në 20 cm (VIDEO)

Edhe pse të dielën u festua dita e verës, ditë e cila shënon fillimin e pranverës, në disa zona të Bashkisë Mirditë ka patur gjatë natës reshje bore.

Reshjet e natës së kaluar kanë përfshirë të paktën tri njësi Administrative të Bashkisë Mirditë atë të Oroshit, Fanit dhe Selitës. Trashësia e borës në këto njësi varion nga 8 deri në 20 cm.

Ndonëse temperaturat janë të ulta ato nuk kanë penguar qarkullimin e automjeteve në këto zona. Kjo borë në këtë periudhë shkakton dëme në bujqësi pasi disa nga pemët frutore kanë ciklin e lulëzimit, çka ndikon direkt në uljen e prodhimit.

Po ashtu reshjet e borës në këtë periudhë shkaktojnë anomali edhe tek blegtoria e këtyre zonave, që është edhe mjeti kryesorë i jetesës për këta banorë për shkak se baza ushqimore është e pakët pasi dimri atje ka rreth katër muaj që ka nisur.

Në territorin e Qarkut Lezhë ndonëse ka patur reshje të shumta shiu dhe në zonat e larta bore nuk ka raportime për bllokim rrugësh dhe as për përmbytje. Furnizimi me energji elektrike ka qenë normal, përveç në disa zona të thella ku ka patur ndërprerje të shkurtra.

(R.G/Faxweb.al)

/faxweb