Regjimi i Bashar Al-Assadit pretendon se Izraeli ka kryer sulm me raketa në kryeqytetin e Sirisë, Damask.
Agjencia e lajmeve SANA e regjimit të Assadit, në lajmin e saj të cilin e bazon mbi burime ushtarake, pretendon se Izraeli në orën 22:35 sipas kohës lokale, nga Lartësirat e Golanit nën okupim ka kryer sulm raketor ndaj disa pikave të regjimit përreth qendrës së Damaskut.
“Në sulm janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Sistemet tona ajrore përballuan raketat e armikut dhe rrëzuan shumicën e tyre”, thuhet në lajmin e agjencisë SANA.
Ndërkohë nga Izraeli ende nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen.
Në Damask, krahas ushtrisë së regjimit ndodhen edhe pika ushtarake që u përkasin grupeve të huaja terroriste nën urdhrin e Gardës Revolucionare të Iranit.
Regjimi i Assadit pretendon se Izraeli ka kryer sulme ajrore më 28 dhe 15 shkurt në Damask, më 4 shkurt në rajonin Quneitra në jug të vendit, më 13 janar në Deir ez-Zor në lindje të Sirisë, më 7 janar në jug të kryeqytetit Damask më 30 dhjetor 2020 në rajonin Nebi Habil në periferinë perëndimore të Damaskut.
