Një organizatë për të drejtat e njeriut konfirmoi se të paktën 202 persona janë vrarë në Mianmar që nga grushti i fundit ushtarak në vend, pas të cilit shpërthyen protesta masive.
“Deri më tani, 202 njerëz janë vrarë. Numri i viktimave të tjera do të shtohet kur të konfirmohen”, tha Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) në një raport të saj.
Që nga 16 marsi, gjithsej 2.181 persona janë arrestuar, akuzuar ose dënuar nga autoritetet në lidhje me grusht e shtetin të 1 shkurtit, sipas AAPP.
“Të ndaluarit nuk janë lejuar të takohen me të afërmit dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, askush nuk e di se ku po mbahen kaq shumë të arrestuar”, thuhet më tej.
Sipas raportit, pasi junta ushtarake shpalli ligjin ushtarak, sulmet dhe vrasjet brutale nga ushtria dhe “ashtuquajtur policia” u intensifikuan.
Grupi tha se disa njerëz të plagosur u arrestuan dhe vdiqën pa patur trajtim mjekësor, ndërsa rastet e tjera të vrasjeve ishin për shkak të torturave kur u morën në pyetje dhe të tjerët u qëlluan për vdekje në ndërhyrjet për të shtypur protestat kundër grusht shteti.
“Njerëzit në Burma u sulmuan dhe u vranë çnjerëzisht çdo ditë nga junta e grusht shtetit”, thuhet më tej.
Qindra njerëz u mblodhën të dielën në varrimin e studentit të mjekësisë Khant Nyar Hein, i cili u vra në Yangon. “Le të më vrasin tani, le të më vrasin në vend të djalit tim sepse nuk mund ta duroj më”, tha nëna e Hein në një video të postuar në Facebook.
Regjimi i grushtit të shtetit të Mianmarit vendosi ligjin ushtarak në nëntë qytete të tjera në qytetet Yangon dhe Mandalay në fillim të javës, një ditë pasi forcat e sigurisë qëlluan gati 40 protestues të cilët kërkonin rivendosjen e sundimit civil.
Kujtojmë se Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
