Skip to content

Një votë labçe për Edi Ramën. Gjiknuri prezanton Vullnet Sinaj në Drashovicë

 

Drashovicë, Gjiknuri: Votë masive mirënjohjeje për Rrugën e Lumit. Rruga e Lumit, Sinaj: Edhe demokratët të japin votë mirënjohjeje për Ramën

 

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri ishte në Drashovicë ku prezantoi Vullnet Sinajn i cili kandidon për një mandat të dytë. Gjiknuri vuri theksin tek mbajtja e premtimit të bërë nga qeveria për ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës.

“Ky mandat i ri për qeverinë Rama është konfrmim që gjërat e nisura të vazhdojnë më tutje. Në këtë krahinën tuaj, po ka një motiv për të votuar fshatçe, vlonjatçe e krahinorçe është që u bë kjo rrugë që e kishin të gjithë ëndërr.

Rruga sipas tij është dëshmi e frontit të zhvillimit, këtij treni që është nisur dhe nuk do të ndalet. “Kjo u bë sepse vendosi Edi Rama të ketë një projekt ekonomik e politik për Vlorën. Këtë duhet tua thoni të gjithëve se do vinë edhe shok e miq e do thonë votoni për mua. Ju duhet të votoni për veten tuaj, ata janë thjesht për hesapin e tyre. Zhvillimi i zonës do të vijë vetëm me Partinë Socialiste”, theksoi Gjiknuri.

Sipas tij, investimet nuk duhen marrë të mirëqena pasi nëse do të vijë krahu tjetër në pushtet gjithçka do të ndalohet. “Shikoni listat e Vlorës për deputet. Asnjë që banon në Vlorë nuk e kanë në listën fituese. Asnjë nuk e kanë që banon në Vlorë. Kanë një listë të shitur nga Luli në Tiranë. Në listën tonë ka përfaqësi politike dhe njerëz që banojnë në Vlorë. Këtu harmonizohet ekipi, edhe politika qendrore edhe përfaqësimi lokal. Janë njerëz më të lidhur me problematikat e zonës. Siç e keni Vullnetin këtu që në fakt bëhet edhe bezdisës për problemet e zonës. Ai mbron dhe përfaqëson interesat e zonës dhe ndaj vendosëm ta rikandidojmë sërish që ta keni deputet”, nënvizoi Gjiknuri.

Deputeti Vullnet Sinaj kërkoi votën e banorëve të zonës së Lumit të Vlorës

për një mbështetje masive të popullit të Labërisë për qeverinë e Edi Ramës pavarësisht kampeve dhe përkatësive politike.

“Nuk ka ndarje politike në Labëri por ka një votë labçe. Ne do ta votojmë akoma më shumë sot labçe sepse kemi arsye edhe më shumë. Edhe të djathtët kanë arsye më shumë për të thënë se këtë herë do ja japim votën Edi Ramës. Kësaj vote për mandatin e tretë të Partisë Socialiste duhet ti vëmë emrin ‘vota e mirënjohjes’ ndaj Edi Ramës dhe PS sepse Edi Rama dhe PS bënë për këtë krahinë atë që nuk e ka bërë askush tjetër”, theksoi Sinaj.