Shpejtimi i shpërndarjeve të vaksinave do të lejojë Bashkimin Evropian të shohë “dritën në fund të tunelit”, pavarësisht nga vala e tretë e epidemisë së virusit Corona që përhapet në të gjithë Evropën, njoftoi Komisioneri evropian për Tregun e Vetëm, Thierry Breton.

“Tani kemi 52 fabrika në Evropë që punojnë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë” për prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit, tha ai për mediat franceze.

Imuniteti kolektiv, deri në mes të korrikut

Breton tha se Evropa ka kapacitetin për të prodhuar dhe shpërndarë te qytetarët e saj 360 milion doza të planifikuara për në fund të tremujorit të dytë dhe 420 milion doza të nevojshme për të arritur imunitetin kolektiv deri në mes të korrikut.

Komisioneri evropian kohët e fundit tha se Evropa mund të arrijë imunitet kolektiv deri në 14 korrik.

“Ne shohim një dritë në fund të tunelit,” tha Breton, duke shtuar se do të duheshin edhe disa javë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të rritur numrin e njerëzve të vaksinuar në të njëjtën kohë.

Breton njoftoi se “pasaporta e parë shëndetësore” evropiane do të jetë në dispozicion nga 15 qershori.

Pasaportë shëndetësore për BE

Certifikata e re shëndetësore duhet të jetë e disponueshme “brenda dy deri në tre muaj” në format dixhital dhe letër dhe do të jetë e vlefshme në të 27 vendet anëtare, tha Breton për Radion Franceze RTL dhe kanalin TV LCI.

“Nga momenti që jemi të sigurt se çdo evropian që dëshiron të vaksinohet do të ketë qasje të drejtë në vaksinë, siç do të ndodhë në dy ose tre muajt e ardhshëm – do të ishte mirë të kesh një certifikatë shëndetësore që konfirmon gjendjen tënde,” Tha Breton.

Certifikata, ose pasaporta COVID, siç e quajnë disa media, do të përmbajë informacion mbi shtetësinë, llojin e vaksinës dhe antitrupat.

“Dokumenti do të përfshijë emrin tuaj, mbiemrin, datën e lindjes, shtetësinë, numrin e pasaportës të verifikuar nga kodi QR, pavarësisht nëse jeni vaksinuar apo jo, llojin e vaksinës dhe nëse keni qenë bartës i virusit“, tha Breton, i cili iu tregoi gazetarëve francezë versionin e certifikatës.

Zbatimi i dokumentit të udhëtimit shëndetësor është planifikuar për në qershor, i cili do të siguronte që udhëtimet të vazhdojnë në të gjithë Evropën, shtoi ai.

Breton tha se ekziston mundësia që dokumenti, megjithëse nuk është i detyrueshëm, të rekomandohet për të udhëtuar me aeroplan, për të marrë pjesë në ndonjë ngjarje të rëndësishme ose për të hyrë në një vend publik.

Në mungesë të këtij dokumenti, shtoi ai, do të jetë i nevojshëm një test negativ për virusin Corona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re