Ditmir Bushati ka reaguar pas një komenti të kryeministrit Edi Rama me pronarin e një fasonerie në Shkodër, të cilit i kërkoi të merrte punëtorë nga Bangladeshi.
Reagimi i plotë:
Para se t’i përkufizojmë shqiptarët si ‘thashethemexhinj’ e ‘dembelë’, duhet të pyesim veten a mbajmë ndopak përgjegjësi për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe modelin zhvillimor që ndjekim.
Gjovalinin, dhe shumë sipërmarrës si ai në sektorin e fasonerisë në Shkodër, kam pasur mundësi t’i takoj disa herë e të bisedoj për sfidat me të cilat përballet sektori. Natyrisht, asnjë vend nuk është zhvilluar nga të tjerët. As Shqipëria nuk bën përjashtim.
Ndaj, nuk ka sesi të vij zgjidhja magjike përmes zëvendësimit të shqiptarëve që ikin drejt veriut të Europës dhe Amerikës me bangladeshas, afgan dhe indian, meqë këta të fundit nuk paskan ‘pretendime’. Në fakt, në të dy rastet bëhet fjalë për njerëz dhe jo robot!
Mirëqenia në shoqëri është produkt i kontributit të komunitetit. Fjala vjen, rafineria e Ballshit apo miniera e Bulqizës, nuk mund të jenë vetëm ‘pronë e koncesionarit’, sepse aty kanë kontribut punëtorët, komuniteti lokal dhe shoqëria.
