Kur na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Presidenti i vendit, Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë në takimin me Ambasadoren Ursula Gacek, e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR.
Sipas kreut të shtetit, në këtë takim, ka theksuar se “do të ndalim me çdo kusht dhe mjet, që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane”.
Në një postim në rrjetet sociale ku jep detaje rreth takimit, Meta thotë se pasi e ka vënë në dijeni Ambasadoren dhe Kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, për nismën e tij për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit “duke ju krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë me kurajo dhe pa hezitim të gjitha presionet, shkeljet dhe parregullsitë, që synojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre”, gjithashtu ka shprehur “gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve dhe të vullnetit të sovranit”.
Postimi i plote i Metes:
Prita sot, me kërkesën e saj, Ambasadoren Ursula Gacek, e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.
I përcolla Drejtueses së Misionit, vendosmërinë dhe përkushtimin tim të palëkundur për të garantuar, që qytetarët të shprehin lirshëm dhe pa u cënuar, vullnetin e tyre të plotë në votim.
Theksova se, do të ndalim me çdo kusht dhe mjet, që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane.
E informova Ambasadoren dhe Kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, për nismën time transparente për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit duke ju krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë me kurajo dhe pa hezitim të gjitha presionet, shkeljet dhe parregullsitë, që synojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre.
Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve dhe të vullnetit të sovranit.
