Kryetarja e “Lëvizjes për ndryshim”, Jozefina Topalli ka nderuar në Shkodër heronjtë e 2 Prillit.

Në një prononcim për mediat, Topalli tha se dëshiron t’u kërkojë ndjesë familjarëve, pasi sipas saj pas tre dekadash ende jemi larg ëndrrave të katër dëshmorëve të demokracisë.

“Sot pas tre dekadash jetojmë një moment kur shpresa është larguar nga ne. Kur nuk ka një pluralizmi real, ku nuk ka një të majtë dhe të djathtë, qeveri dhe opozitë. Unë sot jam këtu e rrethuar me familjarë, me njërin prej familjeve për ti kërkuar një ndjesë të madhe në emër të gjithëve. Pas tre dekadash jemi lag ëndrrave të tyre, nuk kemi arritur të kemi një ekonomi të shëndoshë. Pa një ndjesë të thellë dhe pa një kërkesë ndërgjegjen e secilit prej nesh nuk mund të hapim një kapitull të ri. Ky vend sot më shumë se kurrë ka nevojë për ndryshim. Nuk besoj se Edi Rama, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Shpëtim Idrizi mund të sjellin ndryshimin”, tha ajo.

Më tej Topalli bëri thirrje që të votojnë partinë e saj më 25 prill. “Mendoj se ka për secilin, shpresë për kurajën që të hedhin votën kundër një klase politike të korruptuar. Le t fillojmë me 25 prill, i ftoj qytetarët e mi si demokratë të vërtetë në shpirt të votojnë Lëvizjen për Ndryshim”, tha ajo.

E pyetur pse e shmangën ceremoninë zyrtare, Topalli u përgjigj: “Unë nuk shmanga asgjë. Kam një ftesë për të mos shkuar pas germave por pas parimeve dhe vlerave. E di që ka njerëz skeptikë, por kështu ka qenë dhe ndaj tre dekadave përpara. Për ti dhënë mundësi një brezi të ri që të mbyllin këtë tranzicion”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re