2 prill Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Berati se “plani ynë i veprimit 2021-2025 është në funksion të vizionit të Shqipërisë 2030 dhe Shqipëria është në kushtet sot kur mund të pretendojë të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, agroturizëm dhe eksporte bujqësore”.

Në një takim në Moravë, Berat, me fermerët, agropërpunuesit dhe grumbulluesit e produkteve bujqësore të zonës Kryeministri Rama theksoi se “me këto tre hallka të zinxhirit të zhvillimit Shqipëria do të ketë mundësi të shkojë në nivel tjetër. Jo vetëm me këto të treja natyrisht, por këto të treja janë baza e një punësimi cilësor”.

Kryeministri Rama tha se “kemi hyrë në një fazë që këta shembuj po infektojnë pozitivisht e të tjerët dhe po shtohen vijimësisht pikat e referimit. Berati pavarësisht se namin e madh e ka Lushnja e Divjaka , por Berati është kthyer në një platformë shembullore transformimi të bujqësisë duke kaluar nga bujqësia e mbijetesës tek bujqësia e sipërmarrjes dhe kjo është kryesorja”.

“Këta njerëz janë njerëzit që provojnë me forcën e shembullit të tyre që jo vetëm se është e mundur, por nëse ke vizionin e duhur karakterin, punën, këmbënguljen, durimin mund të dalësh e te ngjitesh në maja të paimagjinueshme”.

Por, vijoi Rama,  thonë shpesh gjatë kësaj kohe që jemi dhe në këtë fushatë se ne s’paskemi program.

“Programi ynë është vizioni, karakteri ynë, puna jonë është këmbëngulja jonë dhe durimi ynë . Me vizion me karakter me punë me këmbëngulje, me durim ne do vazhdojmë përpara duke zbatuar planin tone të veprimit”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “punësimi është një problem, një sfidë e vendeve të rajonit tonë, rritja e vendeve të punës të paguara më mirë është një sfidë jashtëzakonshme, por këtu do të ishe e pabesueshme sepse nuk e dinë fare çfarë bëhet në fshat nëse do të dëgjonin të ardhurat reale të këtyre njerëzve këtu. Këta nuk kanë orar, nuk kanë limit, të gjithë këta njerëz nuk njohin dallimin mes ditës dhe natës kjo jo në mënyrë figurative, por në mënyrë të drejtpërdrejtë këta njerëz e gdhijnë në sera, në ara, në fabrikat e tyre. Por po flas për ata që punësohen këtu, ata që në kohën e pikut kanë paga shumë më të larta sesa paga normale e ditëve të zakonshme kjo do shkojë duke u zhvilluar”.

/k.s/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re