Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu mbështetjen për Libinë ndërsa vendi i Afrikës së Veriut shpreson t’i japë fund luftës civile disa vjeçare.
“Populli libian ka qenë dëshmitar i një momenti historik me instalimin e Këshillit të ri Presidencial dhe emërimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar”, tha Michel pas takimit të tij në kryeqytetin Tripoli me Kryeministrin Abdul Hamid Dbeibeh.
“Doja të vija sa më shpejt të ishte e mundur për t’i përcjellë popullit libian dhe udhëheqjes së tij të re një mesazh të qartë dhe të fortë”, shtoi ai.
“Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për t’u bashkuar në një frymë të unitetit kombëtar dhe pajtimit. E ardhmja e Libisë është në duart tuaja. Ju keni një mundësi unike për të ndërtuar një vend të bashkuar, sovran, të qëndrueshëm dhe të prosperuar”, tha Michel.
Duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian qëndron pranë popullit libian, Michel gjithashtu njoftoi se ambasadori i bllokut do të kthehet në afat të përhershëm në Tripoli deri në fund të prillit.
Më 5 shkurt, delegatët libianë zgjodhën Mohammad Menfi për kryesues të Këshillit Presidencial me tre anëtarë dhe Dbeibeh kryeministrin e ri.
Zgjedhjet në vend janë caktuar për në dhjetor.
Të hënën, Michel pritet të takohet me presidentin tunizian, Kais Saied dhe të martën me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
