Bardhok Planaj nuk ishte personazh i panjohur, jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjerë. Kjo pasi emri i tij ishte lakuar disa herë, për ngjarje të ndryshme kriminale. Megjithatë, për të ashtuquajturin ‘kumbari’ nuk kishte të dhëna për një konflikt të hapur.
Ai lëvizte normalisht, pa eskortë dhe i pambrojtur. Gazetarët, duke komentuar ekzekutimin e një nate më parë të 46-vjeçarit, ngjarje e ndodhur në qytetin e Shkodrës, folën edhe për nofkën ‘Kumbari’.
Teksa gazetari Artan Hoxha ia faturoi këtë nofkë medias, gazetarja e Tv Klan në Shkodër, Emi Kalaja, hodhi dyshimet se ky epitet mund të ketë ardhur pas dyshimeve se Planaj kishte lidhje me disa familje mafioze në Siçili. Duke folur për imazhin e tij në Shkodër, Kalaja tha: “Planaj, pavarësisht etiketimit si kumbari, ndoshta kjo i ka mbetur edhe sepse dyshohej se kishte lidhje me disa familje mafioze në Siçili dhe besoj se këtu ka mbetur dhe etiketimi me këtë emër nga ana e medias.
Megjithatë, ai nuk ruhej, lëvizte i lirë, pa makinë të blinduar, i pashoqëruar… edhe me Fiat të thjeshtë. Vazhdimisht dërgonte punonjësit në Velipojë për të ndërtuar, me një Fiat tejet të thjeshtë. Ishte një person që qarkullonte lirshëm, ai dhe familjarët e tij. Konfliktet mund të kenë qenë të heshtura, ndoshta edhe ai vetë nuk ka pasur një vetëdije, duke qenë se edhe ka lëvizur i pambrojtur dhe i paarmatosur, dhe kjo tregon shumë mbi profilin e tij”.
Ndërkohë Kalaja paralajmëroi se vrasja e Pllanajt mund të pasohet nga ngjarje të tjera kriminale, siç është e zakonshme në Shkodër, për larje hesapesh.
Nga ana tjetër gazetari Artan Hoxha tha se ngjarja e Pllanajt do të mbetet e pazbardhur, derisa të ndodhë vrasja e radhës në Shkodër.
“Lajmi i dhënë për vrasjen e Bardhok Planaj dhe ajo nofka ‘kumbari’, e ka vënë media, sepse në fakt në Shkodër, duke patur parasysh çfarë grupesh kriminale ka Shkodra, Bardhok Planaj nuk hynte tek ato grupe. Nuk është ruajtur, nuk ka qenë në kërkim në këto momente, nuk mbante eskortë. Është një personazh që e kam njohur mirë”, u shpreh nga ana e tij gazetari Artan Hoxha.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
