Nga Komisioni Evropian dhe nga ambasadat e SHBA dhe të Francës në Podgoricë kanë bërë apel për hapjen urgjente të dialogut politik në Mal të Zi pas rritjes së tensioneve për shkak të gjoja tentativës të Qeverisë së re për “serbizimin” e shtetit. Ata i bëjnë ftesë për përmbajtje dhe refuzimin e cilësdo formë të dhunës. Njëkohësisht, Prokuroria Speciale e Shtetit ka kërkuar nga Qeveria letrën origjinale të hapur të Kryeministrit Zdravko Krivokapiq, në të cilën e ka akuzuar këshilltarin e presidentit të Malit të Zi Veselin Veloviq se qëndron pas tubimeve patriotike–komite në tërë shtetin. Siç bëhet me dije, kjo prokurori do të duhej të hapë hetimet lidhur me këtë lëndë për të vërtetuar se me çfarë informatash disponon kryeministri për pjesëmarrjen e Veloviqit në këto tubime dhe për “paratë e pista”, me të cilat këto tubime financohen. Kryeministri para dy ditësh i ka ftuar subjektet politike që t’i tërheqin ithtarët e tyre nga rruga, duke shtuar se nuk e konteston të drejtën e protestave, por duke mos përhapur dhunë dhe urrejtje. Ai mes tjerash ka theksuar se Veloviq e udhëheq Lëvizjen komite-atriotike dhe se është e ditur se e tërë kjo financohet nga krimi i organizuar në bashkëpunim me politikanët.
Debate rreth dhënies së nënshtetësisë malazeze
Asnjë shtetas i Malit të Zi nuk do të mbetet pa nënshtetësinë e shtetit amë, është kumtuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. ”Duke e kuptuar shqetësimin e situatave, të cilat tubojnë diasporën malazeze lidhur me projektin e ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për regjistrimin e vendbanimit, Ministria e Punëve të Jashtme, si organi që kujdeset për pozitën e diasporës, dëshiron të sqarojë faktin dhe të bindë se asnjë nënshtetas i Malit të Zi nuk do të mbetet pa nënshtetësinë e shtetit amë”, thuhet në kumtesë. Theksohet se diaspora gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e pandarë e këtij shteti. Mali i Zi, siç theksohet, nuk e harron asnjë nënshtetas të vetin kudo që ai jeton dhe punon në botë.
Stabilizohet situata epidemiologjike me koronavirusin në Mal të Zi
Në Mal të Zi sipas të dhënave të Institutit për shëndetin publikë gjatë 24 orëve të fundit 10 pacientë të infektuar me koronavirus e kanë humbur jetën dhe janë regjistruar 224 raste të reja të infeksionit. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid-19 në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 1391 persona. Theksohet se deri sot në ora 15 është konfirmuar edhe shërimi i 401 pacientëve. Duke pasur parasysh të gjitha rastet e reja të zbuluara, si dhe numrin e të shëruarve, numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid-19 në Mal të Zi është 4.070 persona. Prej fillimit të epidemisë, në mars të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infeksionit me koronavirusin e ri në Mal të Zi është 94 mijë e 634, është kumtuar nga Instituti për shëndetin publikë. Situata epidemiologjike në Mal të Zi është dukshëm më e volitshme krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kurse vaksinimi realizohet me ritmin e paraparë, ka deklaruar ministrja e shëndetësisë Jelena Boroviniq–Bojoviq. jo ka theksuar se pas 2 muaj të marrëveshjeve intensive bilaterale në Mal të Zi ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër korona virusit, Ajo me këtë rast ka theksuar se vaksinimi po realizohet me tempon e paraparë dhe se vaksinimi masiv do të fillojë në gjysmën e dytë të muajit prill
Epidemiologët akoma bëjnë thirrje për kujdes
Epidemiologia e Institutit për Shëndetin Publik, Maria Bozhoviq ka kumtuar se edhe pse situata epidemiologjike është më e volitshme, nuk ka vend për relaksim. Ajo ka theksuar se respektimi i masave themelore duhet të zbatohet para dhe pas vaksinimit. Ajo ka shtuar se nuk është e sigurt në mundësinë e rizgjedhjes së vaksinës nga ana e pacientëve. Të dhënat aktuale, sipas saj, tregojnë se kemi qenë të përgjegjshëm, se masat janë respektuar dhe e gjithë kjo jep optimizëm. Megjithatë ka tërhequr vërejtjen se nuk ka vend për relaksim, sepse masat duhet të respektohet edhe para dhe pas vaksinimit. Po ashtu ka theksuar se deri tani mbi 90 mijë qytetarë janë paraqitur për t’u vaksinuar, duke shtuar se tani për tani mbetet në fuqi vendimi se vaksinimi në Mal të Zi bëhet mbi bazat vullnetare, edhe pse në disa vende vaksinimi është bërë i domosdoshëm.
Besimtarët myslimanë nisin muajin e shenjtë të Ramazanit
Edhe për besimtarët myslimanë në Malin e Zi ka nisur muaji i shenjtë i Ramazanit. Me këtë rast urime për besimtarët myslimanë ka dërguar Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq. “Ky muaj i shenjtë le të sjellë paqe, fat , begati dhe shëndet në të gjitha familjet tuaja”,- ka shkruar Beçiq në Twitter. Edhe Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ua ka uruar fillimin e agjërimit të Ramazanit të gjithë besimtarëve të fesë islame në Mal të Zi. Ai ka shkruar në Twitter se “kjo traditë e mirë na përkujton të gjithëve nevojën e çdo njeriut që të bëjë përpjekje për të pastruar mendimet, por edhe veprat e veta”. Krahas zyrtarëve të lartë të shtetit urime besimtarëve myslimanë u ka dërguar dhe Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, ndërkaq kryeimami i Bashkësisë Islame në Ulqin, Ali Bardhi duke uruar besimtarët shprehu kënaqësinë që në këtë muaj të shenjtë në Ulqin është hapur edhe një tjetër xhami e re. Po ashtu këtë vit koha e iftarit do të njoftohet me të shtëna topi në dy lokacione. Përndryshe Ali Bardhi i referohet një dokumenti të zbuluar në arkivat e Turqisë në vitin 1879, ku thuhet se tradita e shtirjes me top ka ekzistuar në Ulqin shekuj më parë.
Kryetari i ri i komunës së Ulqinit takohet me koordinatorin e TIKA-s në Mal të Zi
Kryetari i komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq u takua në Podgoricë me Koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Abdurahman Toprak. Komuna e Ulqinit ka shumë vite që bashkëpunon me sukses me Agjencinë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim – TIKA duke realizuar një sërë projektesh të rëndësive të veçanta. Projekti i restaurimit të xhamisë Namazgjasë fillon në fund të vitit, ndërsa sot ne kemi prezantuar projektin e restaurimit të krojeve nga koha e Perandorisë Osmane dhe formimin e “Oriental Route” për turistë është shprehur kryetari i Ulqinit Daboviq. Turizmi kulturor është mënyra më e mirë për të diversifikuar dhe përmirësuar ofertën turistike të komunës së Ulqinit andaj projekte të këtij lloji janë përherë të mirëpritura.
Vera ALIBEGU KATANA, Ulqin/Mali i Zi
