Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka thënë se do të mbështesë tërheqjen e trupave britanike nga Afganistani.
Raab në llogarinë e tij në twitter njoftoi se vendi i tij qëndron fort pranë NATO-s dhe popullit afgan për të mbështetur një Afganistan të qëndrueshëm që do të ketë një të ardhme më paqësore.
Ai gjithashtu theksoi se do të mbështesë tërheqjen e trupave britanike nga Afganistani.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallece, në një deklaratë theksoi se populli i Afganistanit meriton një të ardhme të qetë dhe të qëndrueshme.
“Ndërsa tërhiqemi, siguria e njerëzve tanë që shërbejnë në Afganistan mbetet prioriteti jonë. Jemi dakord që sulmet ndaj vendeve aleate do të pasohen nga një përgjigje e fortë”, tha Wallece.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dje pas takimit të Ministrave të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme të Këshillit të NATO-s, deklaroi se vendet anëtare janë të bashkuara në qëndrimin që tërheqja e forcave nga Afganistani të fillojë më 1 maj.
“Kemi marrë një vendim për të ardhmen e pranisë sonë në Afganistan”, theksoi Stoltenberg, i cili shtoi se trupat e NATO-s që kanë qenë në Afganistan për 20 vjet do të fillojnë të tërhiqen nga vendi më 1 maj.
Australia
Së bashku me SHBA-në, edhe Australia deri në shtator të këtij viti do të tërheq të gjitha trupat nga Afganistani.
Kryeministri australian, Scott Morrison, në një deklaratë me shkrim njoftoi se qeveria e tij “do të finalizojë tërheqjen e kontributit tonë në Misionin e Mbështetjes së Vendosur të udhëhequr nga NATO në Afganistan”.
“Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi zvogëluar praninë tonë ushtarake në Afganistan nga një personel i lartë prej mbi 1.500 aktualisht në rreth 80. Në rresht me SHBA-në dhe aleatët dhe partnerët tanë të tjerë, trupat e fundit australiane të mbetura do të largohen nga Afganistani deri në shtator të vitit 2021”, tha Morrison.
Dje, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi zyrtarisht se trupat amerikane do të tërhiqen nga Afganistani këtë shtator, duke theksuar se është koha për t’i dhënë fund “luftës përgjithmonë”.
Sipas kryeministrit Morrison, mbi 39 mijë ushtarë australianë kanë shërbyer në Afganistan që nga viti 2001.
“Por ruajtja e sigurisë në Afganistan ka ardhur me një kosto. Që nga viti 2001, 41 australianë kanë humbur jetën përderisa po shërbenin në Afganistan, si dhe shumë të tjerë u plagosën, disa fizikisht dhe të tjerët mendërisht”, thuhet në deklaratën e kryeministrit australian.
Morrison po ashtu premtoi mbështetje për procesin e paqes afgane në vazhdim dhe kërkoi nga telabanët “të ndalin dhunën”.
“Konflikti ka shkaktuar një dëm të madh për popullin afgan dhe detyra komplekse e paqes është përpara. Australia vazhdon të mbështesë negociatat e paqes midis qeverisë afgane dhe talebanëve. Ne inkurajojmë të dy palët të angazhohen në procesin e paqes dhe u bëjmë thirrje talebanëve që të ndalin dhunën”, tha Morrison.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 100 mijë civilë afganë kanë vdekur që kur ish-presidenti amerikan, George W. Bush, autorizoi ofensivën në Afganistan në tetor të vitit 2001.
Po ashtu ka pasur akuza kundër forcave ndërkombëtare për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve të pafajshëm në vendin e lodhur nga lufta.
Vitin e kaluar, 39 ushtarë australianë u akuzuan për vrasje të paligjshme të civilëve afganë ose të të burgosurve.
Një raport i urdhëruar nga inspektori i përgjithshëm i Forcës Australiane të Mbrojtjes gjeti “informacion të besueshëm” se ushtarët australianë vranë civilë dhe të burgosur në Afganistan.
Sipas raportit, 25 ish-ushtarë ose aktual ishin të përfshirë në krime të rënda.
Gjenerali Angus Campbell, shefi i Forcës Australiane të Mbrojtjes, u kërkoi falje afganëve për vrasjet dhe kryeministri Morrison premtoi se autorët e krimeve do të përballen me padi.
Megjithatë, media australiane muajin e kaluar raportoi se ushtria po planifikon të largojë ushtarët e përfshirë në krime lufte në Afganistan për “arsye mjekësore”.
Morrison po ashtu anashkaloi pyetjet në lidhje me akuzat për krime lufte gjatë konferencës së tij për media të ditës së sotme.
Gjeorgjia
Qeveria e Gjeorgjisë ka njoftuar se do të tërheqë trupat e saj që kanë shërbyer në Afganistan që nga viti 2004.
Në deklaratën e tij kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili tha se deri në shtator të këtij viti NATO vendosi të përfundojë misionin e saj në Afganistan. “Prandaj, sipas programit të rënë dakord me NATO-n, trupat gjeorgjiane do të largohen nga Afganistani”, tha ai.
Sipas tij, procesi i integrimit të Gjeorgjisë në NATO po vazhdon. Garibashvili theksoi se forcat e armatosura gjeorgjiane kanë shërbyer në Afganistan që nga viti 2004 si vend partner i NATO-s.
“Vendi ynë është një nga kontribuesit më të mëdhenj në Misionin e Mbështetjes së Vendosur (të NATO-s në Afganistan). Deri më tani 860 ushtarë gjeorgjianë kanë shërbyer në Afganistan nën ombrellën e NATO-s”, tha Garibashvili.
Duke falënderuar ushtarët gjeorgjianë për luftën e tyre kundër terrorizmit global gjatë viteve, Garibashvili tha: “Për Gjeorgjinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Afganistani si një anëtar i bashkësisë ndërkombëtare kurrë më të mos bëhet një strehë për terroristët dhe ne jemi krenar që kontribuojmë në këtë kauzë”.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili tha se ajo është krenare që ushtarët gjeorgjianë po shërbejnë në vendet anëtare të NATO-s dhe në Afganistan.
Ajo potencoi se ushtarët gjeorgjianë do të tërhiqen sistematikisht nga Afganistani së bashku me vendet e NATO-s. “Në të ardhmen duhet të ruhet mjedisi i paqes dhe sigurisë në Afganistan, të cilin Gjeorgjia dhe aleatët e NATO-s janë përpjekur ta krijojnë”, tha Zurabishvili.
