Skip to content

Kryetarët e LSI në Belsh dhe Cërrik japin dorëheqjen dhe kalojnë me PS. Balla: Luli harroi ta çonte LSI për skrap, këtu po realizohet më së miri

Në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit Lëvizja Socialiste për Integrim ka marë një goditje të rëndë në Qarkun e Elbasanit.

Prej disa ditësh Kryetari i LSI në Cërrik Astrit Xhelili dhe ai i Belshit Zenun Bullari janë larguar nga radhët e LSI dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij në një takim në Cërrik Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste Taulant Balla falenderoi Astrit Xhelilin dhe Zenun Bullarin për vendimin e tyre për tu larguar nga LSI dhe që ju bashkuan Partisë Socialiste.

“Dua të falenderoj Astrit Xhelilin, i cili është këtu bashkë me ne e që ka drejtuar LSI për shumë vitesh dhe prej ditësh ka vendosur të jetë pjesë e mbështetjes së Edi Ramës dhe PS. Faleminderit Astrit që e le  drejtimin e LSI, sepse ishte drejtim i gabuar dhe mirëserdhe në PS.

Ndërkohë dua të falënderoj edhe kryetarin tjetër të LSI-së, Zenun Bullarin të zonës së Belshit, i cili dhe ai ka vendosur të largohet nga LSI dhe të mbështesë PS dhe Edi Ramën më 25 prill.

Atë që Lulzim Basha e harroi rrugës, çuarjen e LSI për skrap, besoj që në Cërrik dhe Belsh po e bëjmë më së miri”, deklaroi Balla.