Një i ri ka hyrë brenda xhamisë ‘Dine Hoxha’ në rrugën e Kavajës dhe ka goditur me thikë disa prej besimtarëve.
34 vjeçari Rudolf Nikolli, me origjinë nga Burreli, ka plagosur disa besimtarë. Fatmirësisht të gjithë personat e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Kanë qenë besimtarët muslimanë në xhami të cilët kanë bërë të mundur heqjen e thikës nga duart e Rudolf Nikollit, ndërsa më vonë policia e ka prangosur.
Mbetet ende mister arsyeja se përse 34 vjeçari ka kryer këtë gjest të paprecedentë.
“Sot pas dreke, ka ndodhur një akt barbarie pranë xhamisë Dine Hoxha, ku një njeri i armatosur me një thikë godet besimtarët brenda xhamisë. Nuk mjaftohet, por godet dhe njerëzit që ishin në rrugë. Faleminderit Zotit që ky person është arrestuar dhe tashmë situata është nën kontroll”-tha imami Ahmed Kalaja.
