Skip to content

Mianmar, 3,4 milionë njerëz mund të përballen me uri

Rreth 3,4 milionë njerëz janë në rrezik të urisë në Mianmar për shkak të krizës së shkaktuar nga grusht shteti ushtarak dhe protestat.

Përfaqësuesi për Mianmarin i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), Stephen Anderson, theksoi se në vend që nga grushti i shtetit janë rritur kostoja e jetesës dhe papunësia.

Përfaqësuesi i WFP-së në Mianmar, Anderson, deklaroi se sektori i prodhimit, ndërtimit, ushqimit dhe shërbimit është tkurrur ndjeshëm për shkak të grushtit të shtetit dhe mosbindjes civile. “Nëse nuk ndërmerret një hap i përbashkët, të paktën 3,4 milionë njerëz në Mianmar në 3 deri në 6 muajt e ardhshëm do të kenë vështirësi për të përmbushur nevojat e tyre themelore për ushqim”, deklaroi ai.

Duke treguar se çmimet e orizit në vend janë rritur me 5 për qind dhe çmimet e naftës me 18 për qind që nga grushti i shtetit, Anderson tha se WFP do të rrisë aktivitetet e ndihmës humanitare në rajon.

Banka Botërore kishte parashikuar që ekonomia e Mianmarit do të tkurret me 10 për qind këtë vit për shkak të protestave kundër grushtit të shtetit dhe sanksioneve ndërkombëtare.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Që kur filluan protestat kundër grushtit të shtetit, vdiqën 738 persona si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në protesta.

Ndërsa teksa demonstratat vazhdojnë në shkallë të gjerë në vend, zyrtarë të lartë të qeverisë në paraburgim vazhdojnë të gjykohen në një gjykatë ushtarake.