Trupi i të miturit palestinez Yusuf Abu Jezer (16), i cili u martirizua nga plumbat e ushtarëve izraelitë më 29 maj 2018 dhe u mbajt nga autoritetet izraelite për tre vjet, më në fund ka arritur te familja e tij në Gaza.
Duke folur për AA, babai i Yusuf Abu Jezer-it, Rim Abu Jezer, tha: “Forcat pushtuese e kthyen trupin e djalit tim pas tre vjetësh. Ne do ta varrosim djalin tim në Gaza në mënyrë që çdokush ta vizitojë atë kur të dojë”.
Qendra për të Drejtat e Njeriut Mizan gjithashtu njoftoi se trupi i Abu Jezer-it iu dorëzua nënës Abu Jezer dhe avokatit të Qendrës në pikën izraelite të kontrollit në Beit Hanun.
Në një deklaratë nga Mizan thuhet se Abu Jezer mori pjesë në demonstrata paqësore kundër bllokadës së Izraelit ndaj Gazës më 29 maj 2018 kur ai u martirizua nga plumbat e ushtarëve izraelitë.
Sipas dokumenteve të Qendrës për të Drejtat e Njeriut, që nga 30 marsi i vitit 2018, Izraeli ka mbajtur trupat e 22 palestinezëve, përfshirë pesë fëmijë. Qendra arriti të shpëtojë tre nga pesë kufomat e fëmijëve dhe t’ua dorëzojë familjeve të tyre.
Palestinezët kanë organizuar protesta paqësore nën moton “Marshi i Madh i Kthimit” në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin që nga 30 marsi.
Nga ana tjetër, ushtarët izraelitë gjuajnë me plumba të vërtetë mbi popullsinë civile që kërkon “kthimin në tokat e tyre nga të cilat u dëbuan dhe heqjen e bllokadës së paligjshme të vendosur në Gaza që nga viti 2006”.
Në shtator 2019, Gjykata e Lartë e Izraelit lëshoi një urdhër që autorizon komandantin ushtarak izraelit të varrosë përkohësisht trupat e dëshmorëve palestinezë për t’i mbajtur dhe përdorur ato si karta negocimi në të ardhmen.
