Skip to content

Kërkojnë largimin e Bashës, Imami: Nëse Rama është kriminel që vjedh të gjitha zgjedhjet, PD të mbyllet fare

Një grup prej 10 zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të Partisë Demokratike, themelues dhe studentë pranë saj qysh nga dhjetori 90, publikuan në mesditë një deklaratë, ku bëjnë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve kryetarin e saj, Lulzim Basha dhe kërkojnë dorëheqjen e mënjëhershme të tij.

Arben Imami, një prej firmëtarëve e kërkesës, i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se kjo kërkesë e tyre bëhet për faktin se Basha nuk jep dorëheqjen dhe nuk reflekton për humbjet radhazi të betejave elektorale.

Imami: E kërkojmë dorëheqjen se nuk e jep. Njeriu që humb katër palë zgjedhje duhet të japë dorëheqjen. Basha de facto pranoi mbrëmë rezultatin e  zgjedhjeve  ashtu sikurse de facto nuk reflekton për të marrë përgjegjësitë e tij dhe mendon se duhet të fillojë një luftë tjetër që sipas hesapeve të mia del 8-12 të tjera por mund të jetë dhe më pak.

Nuk është kërkesë e pazakontë kur ata që duhet të reflektojnë për përgjegjësitë e tyre nuk reflektojnë dhe nuk është kërkesë e pazakontë për njerëz që e kanë jetën të lidhur për këtë parti, kemi punuar me vite. Fatkeqësisht këto zgjedhje nuk sollën atë që duhet të sillnin, duhet të vinte rotacioni politik.

Zgjedhjet nuk siollën rotacion politik, nuk sollën një reflektim për shkaqet e të keqes në këtë vend që qëndron aktualisht në disa kolona kushtetuese, ligjin për partitë, ligjin elektoral. Nuk sollën një reflektim për gabimet që janë bërë, janë bërë gabime shumë të rënda, nuk sollën reflektim për sjelljet e liderëve që kanë qenë ekstreme.

Sot dalin nga parlamenti, nesër ulen në tavolinë dhe arrijnë çfarëdo që do ai tjetri. Qytetari shqiptar nuk ka nevojë për këto ekstreme, mund të jemi shumë më të moderuar, mund të bëhet një politikë shumë më e mirë. Nga ana tjetër 8 vjet të Edi Ramës pa opozitë dhe 4 të tjerë tani, janë shumë shumë shumë. Kjo ka qenë një nga qeverisjet më të këqia që ka parë ky vend.