Skip to content

Thirrja për të njohur rezultatin: Pas takimit me Rama, Yuri Kim do të takohet edhe me Bashën

Ambasadorja amerikane Yuri Kim do të zhvillojë takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Bashën.

Nuk dihet ende kur do të zhvillohet takimi i planifikuar mes ambasadores dhe kryedemokratit, por pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

Më herët sot, kryediplomatja amerikane u takua me kryeministrin Edi Rama.

Lëvizjet e ambasadores së SHBA vijnë gjithashtu katër ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku Partia Socialiste fitoi mandatin e tretë qeverisës.

Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndeti procesin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe ftoi palët të njohin rezultatin e të vijojnë bashkëpunimin.

“SHBA përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, thuhej në njoftimin e zëdhënësit të DASH, Ned Price.

Po ashtu kryediplomatja amerikane në Tiranë, shkruante se:

“Ne e përgëzojmë Kryeministrin Partia Socialiste në fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD-së Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë që u dha zë shumëkujt & frymëzoi shpresë”, shkruan ambasadorja.

Më tej, në reagimin e saj në “Twitter” znj. Kim kërkoi që udhëheqësit politikë  do t’i shërbejnë më mirë perspektivës dhe të ardshmes së shqiptarëve.

“Më e rëndësishmja, ne e përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë. Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkroi ambasadorja Kim.