Nga Roald A. HYSA
Përgjigjja e parë që më vjen për këtë pyetje kaq tragji-komike është PO. Një ditë përpara festimeve të Bajramit të Ramazanit u ngrit kjo pyetje tinzare ndaj KMSH-së, e cila u tregua e kujdesshme kësaj radhe për organizimin e faljes në shesh mu aty pranë çadrave, ku bëhet vaksinimi në masë i popullsisë. Gojët e liga thonë se njerëzit e vaksinuar kanë probleme pas vaksinimit, mirëpo unë nuk iu besoj fort teorive konspirative ngado që të vijnë. Nejse historia e faljes në sheshin Skënderbej është një vijimësi, e cila duhet studiuar me kujdes nga antropologët e social-politikës, sesi po shfrytëzohet për inxhiniering social një komuninet i tërë. Këtu desha të kujtoj se para disa bajramesh një ekran LCD në formë L u vendos pa asnjë dyshim tek organizatori për të mbuluar me fushëshikimin e vet nevojën e organizatorit për të shpërndarë mesazhe paqe dhe dashurie mu në këtë ditë të bajramit, kur të gjithë njerëzit e presin një gjë të tillë kaq të thjeshtë. Nga komuniteti i gazetarëve del njëri prej tyre dhe nëpërmjet disa fotove manipuluese i vendos metrin dhe del në përfundimin, që organizatori ka dashur të mbulojë Skënderbeun heroin tonë kombëtar dhe i gjithë komuniteti i gazetarëve u vu në radhë dhe na ngritën pyetjen fatidike: A E DONI JU MUSLIMANËT HEROIN TONË KOMBËTAR- SKËNDERBEUN APO JO? Një pjesë e madhe e bashkësisë muslimane u përtypën dhe u ripërtypën për ta kaluar këtë pyetje me sportivitet, ndërkohë që ngrihej sa më lart zhurma e këtij rebusi fatidik pa përgjigje!
Një bajram më vonë po i njëjti gazetar na nxjerr një foto tjetër (normalisht e përzgjedhur me shumë kujdes dhe shumë artistike si foto) një femër të mbuluar dhe ngren një pyetje tjetër fatidike: KU DUAN TË NA ÇOJNË KËTA? (nënteksti i KËTA: këta drejtues që i mbulojnë gratë si në Arabi dhe mjekrroshat ekstremistë hoxhallarë, se kemi edhe hoxhallarë që mbajnë mjekrra shumë të shkurtra, që rruhen apo edhe që Zoti ua ka dhënë me shumë pak qime, që nuk të lejnë përshtypjen e mjekrrës fare.) Një tymnajë pluhuri u ngrit përsëri havadan deri në qiell, duke i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Një palë i referoheshin të drejtave njerëzore dhe paragjykimit që i bënte veshjes së jashtme gazetari, ndërsa ne si palë e devotshme u munduam t’ua shpjegojmë se çfarë do të thotë mbulesë islame për gruan dhe përditshmërinë e saj në Islam për ruajtjen e fesë dhe rritjen e nivelit tonë fetar. Si në rastin e parë dhe të dytin vërejtëm se pala kundër, pra komuniteti i gazetarëve dhe analistëve nuk është se u bindën fort nga argumentet e përdorura. Mirëpo nuk është se e pranuan, edhe që sheshi mund të përdorej për të shpërndarë mesazhe bajrami, kur ne nuk i bindëm se a e duam fort SKËNDERBEUN a JO! a duam t’i çojmë në Arabi a JO, ku atje gratë i mbulojnë me burka të zeza korb, apo duam t’i çojmë në Evropë, ku të gjithë njerëzit normalë aspirojnë!
Komuniteti i gazetarëve dhe analistëve vazhdon të jetë i bindur për të kundërtën dhe ne vazhdojmë të jetojmë në Evropë, porse duam t’i vazhdojmë traditat tona si muslimanë. Një nga ato tradita është edhe falja në sheshet kryesore të vendit e bajramit me pompozitetin dhe gëzimin e ligjshëm, që i takon kësaj dite. Nejse vjet ishte pandemia dhe muslimanët me kushte shumë të rrepta u falën në sheshin e Pazarit të Ri në Tiranë, ndërsa në Kosovë u bë e ndaluar – JASAK.

Kësaj radhe me shumë vështirësi nga organizatorët u arrit që të merrej leja (megjithëse e kemi me HAK), që bajrami të falej në shesh. Dikush nxitoi ta paralajmërojë me shumë gëzim këtë event në shesh, pa e keqkuptuar nxitimin e tij dhe njëkohësisht edhe paralajmërimet që erdhën një ditë më herët për vendosjen e ekraneve gjigandë LCD, për të mos na e mbuluar Skënderbeun tonë.
Skënderbeu kësaj radhe nuk u mbulua, e megjithëse nuk u mbulua përsëri na u desh të merremi me të (Skënderbeu ka qenë i trajnuar në trupën e jeniçerëve në shkollën sulltanore, e cila asokohe ka qenë nën kujdesin e baballarëve bektashi). Tashmë na u desh të merremi me bajramin dhe a festohet nga baba Mondi & co! Sa gota raki pi baba Mondi & co! A janë muslimanë bektashinjtë a JO! Pra 1400 vjet ngatërresa doktrinale dolën në shesh dhe për pasojë “SKËNDERBEU u mbulua përsëri” nga njëri prej gazetarëve, i cili “me shumë profesionalizëm” i shërbeu lajmit dhe neve që i shërbyem atij për të bërë lajm! Ani se njerëzit kishin shkuar në KMSH, i kishin bërë adetet e zakonet, që i takojnë kësaj dite.
Ia dolën të na e prishin ditën e gëzuar që kishim, pak me ndihmën e tyre, pak me ndihmën tonë…
Po ti çfarë fiton nga kjo gjë?- mund të pyesi me të drejtë shumëkush. Asgjë, dhe shumëçka… thjesht jam në pritje të komenteve të publikut dashamirëse apo jo-dashamirëse qofshin!
P.S. i falënderoj pronarët e Mexhlis.com të cilët me linjën e tyre redaktoriale nuk janë dakord me shkrimin tim, porse ma dhanë mundësinë për ta botuar dhe shpërndarë atë nëpërmjet faqes së tyre.
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



