Vende të ndryshme të botës kanë dënuar sulmet e Izraelit ndaj Palestinës të cilat shkaktuan mbi 200 viktima palestineze civile që nga muaji i Ramazanit, kur tensionet u rritën si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor.
Disa qytetarë të Kosovës e kanë konsideruar “konfliktin” që po ndodhë në Kuds ndërmjet Izraelit dhe Palestinës si të pabarabartë.
Duke folur për (AA), të gjithë i kanë dënuar sulmet izraelite ndaj civilëve të pafajshëm palestinezë të pambrojtur. Madje, disa nga ta e kanë krahasuar “konfliktin” atje të ngjashëm me atë të Kosovës në vitin 1999, kur u vranë shumë qytetarë të pafajshëm.
Pensionisti 70-vjeçar Ferki Munishi thotë se “lufta në Rripin e Gazës midis izraelitëve dhe palestinezëve është e pabarabartë”.
“Dikush me armë moderne, dikush me raketa që nuk mund të arrijnë atje. Po bombardohen ndërtesa 15-katëshe, rrafshohen me tokë dhe pastaj synohet që faji t’u lihet atyre (palestinezëve), një situatë sikurse ajo e ‘deles dhe ujkut me ujin e turbulluar’. Edhe kjo është një lojë e tillë, nuk është hera e parë që ndodhë. Bota asgjë nuk reagon, Këshilli i Sigurimit llomotit duke kërkuar ndërprerje, por asgjë konkrete nuk ndodhë”, thekson Munishi.
Ai thotë se Izraeli ka mbështetjen e fuqive të mëdha dhe mund të bëjë çfarë të dojë dhe “dihet se ku ishte Palestina në vitin 1948 dhe ku është sot”.
Sherif Kolgeci nga Komuna e Suharekës, 82-vjeçar në pension thotë se sulmi i forcave izraelite ndaj palestinezëve brenda xhamisë Al-Aksa ishte një veprim i shëmtuar, por ai thotë se as palestinezët nuk duhet të provokojnë ndonjë reagim të palës tjetër.
“Ku është ajo Amerika e cila po lëvdohet nga të gjithë. Përse nuk ka hyrë ndërmjet dy shteteve dhe të mos lejojë vrasjen e njerëzve. Por, askush nuk është duke u përkujdesur për njerëz, por vetëm për xhepin e tyre. Ata duhet të ndërhyjnë menjëherë në këtë konflikt, jo të mbyten gjithë ata njerëz e të rrëzohen gjithë ato shtëpi”, thotë Kolgeci.
Ai thotë se “lufta ka qenë gjithmonë e keqe dhe asnjëherë nuk ka qenë e mirë”.
Nexhmije Salihu, 70-vjeçare nga Podujeva, me profesion rrobaqepëse thotë se ajo që po ndodhë me palestinezët i ngjan situatës së kosovarëve në luftën e vitit 1999, kur ishte e pambrojtur ndërsa duhej vetëm ndërhyrje nga jashtë për të shpëtuar.
Ajo thotë se “lufta duhet të ndërpritet, ngase edhe ne e kemi përjetuar atë dhe është shumë e keqe”.
“Kur e bombarduan banesën në Gaza më dolën lotët. Unë do të thosha që atje duhet të shkojnë t’u ndihmojnë palestinezëve gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën. Izraeli ka përkrahje të madhe por edhe palestinezëve duhet t’u vije në ndihmë dikush”, theksoi ajo për AA.
Reshat Sahitaj, shkrimtar 70-vjeçar nga Prishtina thotë se krimet e bëra ndaj fëmijëve palestinezë, janë “dhunë që nuk duhej të ndodhte”.
Ai thotë se i ka përcjellë zhvillimet e fundit në Gaza dhe ka parë që bashkësia ndërkombëtare ka reaguar me deklarata, por pa ndërmarrë ndonjë hap efektiv.
“Për shembull, Franca nuk e përkrah as Izraelin as Palestinën, madje ajo përkrah më tepër Palestinën sesa Izraelin, por ata e përkrahin atë në mënyrë humanitare. Dihet që krimet, masakrat, lufta nuk janë të mira për asnjë popull”, thotë Sahitaj.
Bajram Shoshi 56-vjeçar nga Komuna e Pejës, inxhinier i padiplomuar thotë se sulmet izraelite ndaj palestinezeve janë gjynah i madh që në shekullin 21 të bëhet një terror i tillë.
Ai mendon se nuk dihet se ku po fshihet faji në këtë mes, por janë civilët palestinezë ata që po pësojnë.
